Nga ikja e gjermanit të fundit 79 vite më parë nga Shqipëria, debati sot është kthyer në mbajtjen e mjekut të fundit shqiptar për të mos u larguar drejt Gjermanisë. Më shumë se 1200 mjekë janë larguar nga vendi, ndërsa poliklinikat shqiptare dhe spitalet zbrazen duke detyruar qeverinë të marrë një masë drastike. Atë të bllokimit të diplomave të bluzave të bardha ose kushtin që studimet t’i paguajnë vetë edhe pse studiojnë në një universitet publik. Prej 79 vitesh Shqipëria është e ndarë mes vetës në dy kampe, ata që mendojnë se Gjermani i Fundit iku më 28 Nëntor dhe prej atyre që datën e largimit të gjermanit të fundit kanë 29 Nëntorin. Ky debat duket se tashmë ka sjellë një tjetër panoramë të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, duke zbehur se kur ikur gjermani dhe duke ngritur alarmin se shqiptarët po ikin drejt Gjermanisë. Për herë të parë publikisht dhe zyrtarisht ndërmjet udhëheqësve të dy vendeve u fol teksa Kryeministri Edi Rama ndodhej në Berlin në një konferencë për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Aty ku media pyeti zotin Rama nëse kishte folur me homologun e tij këtë situatë dhe nëse Gjermani e njihte këtë situatë si një borxh? Edhe kjo konferencë nuk solli një zgjidhe së paku për bluzat e bardha, mjekë e infermierë të cilët po braktisin Shqipërinë për të shërbyer ne sistemin shëndetësor europian, e masivisht atë gjerman. Për Gjermaninë kjo është një kosto e lëvizjes së lirë të cilën do duhet ta paguaj edhe Ballkani, si një hapësirë që do duhet të furnizohet edhe nga vende si Shqipëria. Pikërisht kjo situatë e zbrazjes së qendrave shëndetësore, poliklinikave dhe spitaleve shqiptare ka detyruar qeverinë të fus me urgjencë për miratimin ligjin që frenon emigrimin e mjekëve. Një kusht konservator por i nevojshëm thotë relacioni për të frenuar largimin e bluzave të bardha që ndikon direkt në jetën shëndetësore dhe ekonomike të vendit.



