Regjisori Kastriot Çipi theksoi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Çipi vuri në dukje se me hapjen e dosjeve do të rishkruhet jo vetëm historia e viteve 1945-1990, por edhe periudha 1991-2023.
Çipi tha se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit i kanë në dorë oficerët e Sigurimit të Shtetit dhe mund t’i shantazojnë ata.
Fakti se persona që kanë qenë të implikuar në Sigurimin e Shtetit është një nga aspektet. Qytetarët të gjithë kanë të dinë atë pjesë te jetës së tyre e ka ditur shteti shqiptar. Nëse ti ke qenë spiuni im, ti ke mësuar sekrete të jetës sime private. Të mos di unë se çfarë ka dosja ime, kjo është një skandal. Vetëm serbët, rusët dhe shqiptarët nuk i kanë hapur dosjet. Këtyre personave që u është bërë dëm, shoqëria shqiptare është borxhlie, duhet t’ua shpërblejë. E gjithë shoqëria duhet të paguajë për dëmin. Për ata që janë vrarë dhe janë pushkatuar unë dhe ti duhet të paguajmë një çmim. Po e zëmë që 5 për qind ka qenë kasta, ka qenë e lidhur me shërbimet, dhe një 5 për qind që janë goditur më fort, kurse ne 90 për qindshi i mesit. A ka pajtim kombëtar pa u bërë drejtësi?! 5 për qindshi që ka krijuar persekutimit nuk ka krijuar falje akoma. Alibia ka qenë që të mos i hapim dosjet se ka hakmarrje. Ku janë hakmarrjet?!
Unë kam pasur babanë tim hetues. Nëse vjen dikush dhe më thotë që yt at ka bërë këtë manipulim në dosje, apo më ka rrahur, më takon që t’i kërkoj falje publikisht dhe personalisht atij personi. Ai nuk jeton më, po të jetonte do më takonte t’i bëja presion atij për të kërkuar falje. Arben Kraja ka shkruar në dosje, e mora në pyetje studentin që donte të futej në ambasadë…Në dy faqe student mohon që të ketë dashur të futet në ambasadë. Dhe ky shkruan dhe i vë firmën sot që ky e pranoi, ndërkohë që ai nuk e pranoi. Ndërkohë që Arben Krajën e kemi në poste të rëndësishme.
Sigurimit të Shtetit nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, s’ke asnjë oficer të penalizuar, asnjë bashkëpunëtor të penalizuar. Dosjet duhet të hapen edhe sikur të kenë vdekur të gjithë. Burimet tona janë të njëanshme. Kur të hapen dosjet e sigurimit jo vetëm historia 45’-90’ do të rishkruhet, por do të rishkruhet edhe historia 1991-2023. Shembja e teatrit do ndriçohet më mirë po të hapen dosjet. Ka shumë lidhje edhe pse unë nuk flas me emra. Nëse unë kam qenë oficer i sigurimit dhe unë kam qenë bashkëpunëtor, a të kam në dorë unë ty?!”



