Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka detyruar shumë shtete të ndërhyjnë për të zbutur efektet në ekonomi, përmes vendosjes së tavaneve, subvencioneve apo kufizimit të fitimeve të tregtarëve.
Ndërkohë, në Shqipëri mungon ende një ndërhyrje e mirëfilltë nga qeveria, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që kjo situatë po ka në sektorë kyç, veçanërisht në bujqësi.
E ftuar në “MCN Economy”, ekspertja e bujqësisë, profesorja Ana Vuksani, thekson se rritja e çmimit të naftës ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe zinxhir në gjithë sektorin.
Mjafton të shikosh politikat që kanë ndjekur vendet fqinje për të kuptuar sa i domosdoshëm është ndërhyrja.
Rritja e çmimit të naftës ka kosto direkte për fermerin, nga punimi i tokës, mbjellja dhe korrja, por edhe kosto indirekte si rritja e çmimit të plehrave kimike për shkak të transportit.
Kjo krijon një efekt zinxhir, duke rritur kostot e prodhimit dhe çmimet e ushqimeve, ndërsa ul fuqinë blerëse të qytetarëve.
Sipas saj, bujqësia shqiptare përballet me sfida të shumta, duke nisur nga produktiviteti i ulët krahasuar me vendet e rajonit, deri te niveli i pamjaftueshëm i subvencioneve për fermerët.
Vendet fqinje ndërhyjnë për të mbrojtur fermerin dhe për të mos lejuar rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ndërkohë, në Shqipëri fermeri penalizohet edhe nga mbështetja e ulët.
Si mund të jemi konkurrues kur kemi kosto të larta dhe produktivitet të ulët? Sektori bujqësor duhet të bëhet më atraktiv, jo të rëndohet më tej nga rritja e çmimit të naftës.
Ekspertja paralajmëron gjithashtu se rritja e kostove rrezikon të lërë pa shitur produktet vendase, duke goditur drejtpërdrejt të ardhurat e fermerëve dhe duke rritur varësinë nga importet.
Në mungesë të një strategjie të qartë ndërhyrjeje, situata mbetet sfiduese për bujqësinë shqiptare, një sektor që jo vetëm ndikohet nga kostot e tregut, por edhe nga faktorë të tjerë si ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore.



