Ditën e djeshme si pasojë e turbulencave të forta u plagosën 36 persona të cilët ishin pjesë e bordit të një avioni të kompanisë amerikane Hawaiian Airlines, i cili ishte gati të ulej në Honolulu.
“Fluturimi HA35 “kaloi nëpër turbulenca të forta pak para uljes. Disa pasagjerë dhe ekuipazhi morën trajtim mjekësor në aeroport për lëndime të lehta, por të tjerët u dërguan shpejt në spital”, tha kompania në Twitter.
Avioni, mbante 278 pasagjerë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit.
Gjithsej 36 persona u trajtuan, duke përfshirë disa që vuanin nga të përziera dhe lëndime të lehta, tha gjatë një konference për shtyp Jim Ireland, drejtor i departamentit të urgjencës në Honolulu.
Nga ky numër, 20 janë dashur të shtrohen në spital, 11 për lëndime të rënda dhe 9 për lëndime të lehta. Disa u plagosën në kokë.
Tre anëtarë të ekuipazhit janë midis të plagosurve të shtruar në spital, sipas drejtorit të operacioneve të linjës ajrore, Jon Snook, i cili vuri në dukje se moti kishte qenë veçanërisht i paqëndrueshëm ditët e fundit në Hawaii, por se incidente të tilla ishin " relativisht të rralla".



