Partia Socialiste do të hyjë në një proces reflektimi, që ka për qëllim marrjen përsipër të përgjegjësisë së madhe të dhënë nga qytetarët më 25 qershor. Në takimin e parë me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, kryeministri Rama tha se koalicioni më i madh i socialistëve do të jetë ai me qytetarët që i dhanë votën.
“Skuadra qeverisëse do të jetë gati vetëm në fillim të shtatorit. Qeveria e re do të shpallet pas procesit të reflektimit që nis tani. Do të nisim një tur dëgjimor me partinë dhe komunitetin. Asnjë prej jush nuk duhet të largohet me pushime deri më 1 gusht. E di sa energji janë shpenzuar në fushatë, por askush nuk është marrë me zor për të përfaqësuar në Parlament. Ne do të jemi në një koalicion të madh me njerëzit që na dhanë votën dhe rezultatin më të madh të PS. Po dështuam në këtë koalicion të madh i bie të kemi një dështim të madh në fund të mandatit”, tha ai.
Sipas kryeministrit, niveli i parlamentarizmit të mandatit të fundit ka qenë turpërues dhe kjo do të ndryshojë.
“Parlamenti i kaluar ishte në nivel turpërues. Por reformat e votuara janë i vetmi aspekt pozitiv. Ne do të ndryshojmë mënyrën e drejtimit të Parlamentit. Kuvendi që duam nuk mund të jetë një kazan politik. Për ne që e duam Shqipërinë me shtet, mjerimi i seancave parlamentare nuk ka më asnjë justifikim. Barrën e drejtimit të Parlamentit do ta kemi vetë”, tha ai.
Rama paralajmëroi pastrimin e administratës nga ajo që edhe gjatë fushatës e ka cilësuar si “kanceri” që ka ulur performancën. Kreu i PS-së e vuri theksin te qeverisja në respekt të ligjit dhe duke shmangur punësimet nepotike apo të pamerituara, pavarësisht bindjeve partiake.
“LSI është partia më e prekur nga kanceri, por jo e vetmja. Ne do të ndërhyjmë në ligjin e konfliktit të interesave. Do ta nisim nga vetja. Çdo kryetar bashkie që e do aq shumë gjakun e vet saqë u jep rroga të pamerituara, le ta lërë detyrën që sot. Ne jemi zgjedhur për të bërë shtet dhe kësaj do t’i japim fund. Përndryshe pas 4 vitesh njerëzit e zakonshëm do të na kthejnë kurrizin”.



