Ish-komandanti i ushtrisë në Brazil, Jair Bolsonaro, ka fituar zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Me 94 për qind të votave të numëruara, Bolsonaro arriti 56 për qind të votave në balotazhin kundër Fernando Haddad nga Partia e Punëtorëve (PT), i cili mori 44 për qind, sipas autoriteteve zgjedhore.
Mbështetja për Bolsonaron është nxitur nga refuzimi për të majtën që e ka udhëhequr Brazilin për 13 nga 15 vitet e fundit dhe u rrëzua nga pushteti dy vjet më parë pas recesionit dhe skandaleve të korrupsionit.
Shumë brazilianë janë të shqetësuar se Bolsonaro, një admirues i diktaturës ushtarake të Brazilit 1964-1985 dhe një mbrojtës i përdorimit të torturës mbi kundërshtarët e majtë, do të shkelë të drejtat e njeriut si dhe do të kufizojë liritë qytetare dhe lirinë e shprehjes.
Deputeti 63-vjeçar, që ka shërbyer për 7 mandate, ka premtuar se do të godasë krimin, duke i dhënë policisë më shumë autonomi për të qëlluar mbi kriminelët. Ai gjithashtu pritet të lejojë rritjen e numrit të brazilianëve të pajisur me armë për të luftuar krimin.



