Tensionet mes dy kompanive të angazhuara në projektin e Aeroportit të Vlorës vijojnë edhe këtë të martë, duke sjellë sërish bllokim të hyrjes dhe pengesa në zhvillimin e punimeve.
Sipas gazetares Arjola Hasanaj, në zonë janë angazhuar forca të shumta policore, përfshirë Policinë e Shtetit, forcat “Shqiponja”, FNSH-në dhe siguri private, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të konfliktit mes palëve.
Hasanaj raportoi për MCN Live se edhe gjatë mëngjesit të sotëm nuk kanë munguar përplasjet mes kompanisë Mabco, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe kompanisë 2A Group të Valon Ademit.
Edhe këtë mëngjes nuk kanë munguar përplasjet mes dy kompanive, Mabco të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit. Kamionë të 2A Group kanë bllokuar hyrjen, duke ndaluar vijimin e punimeve. Në momentet e para, nënkontraktorë të kompanisë së Pacollit tentuan të futeshin brenda aeroportit, por më pas hyrja u bllokua nga 2A Group, ndërsa nënkontraktorët e tjerë mbetën jashtë, duke e mbajtur të bllokuar këtë akses.
Sipas saj, situata e sotme është vazhdim i tensioneve të regjistruara edhe një ditë më parë, ndërsa konflikti mes dy kompanive po ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e projektit.
Kjo përplasje vjen pas tensioneve të ditës së djeshme. Vetë palët janë shprehur se konflikti ka bllokuar punimet dhe ka dëmtuar edhe sektorin e turizmit. Kompania 2A Group nuk ka pasur asnjë përfaqësues që të prononcohet për mediat, ndërsa administratori i Mabco-s ka deklaruar se hyrja me forcë në aeroport është mbështetur në një vendim të Gjykatës së Lartë, me synimin për të vijuar punimet në këtë aeroport.
Ajo shtoi se përfaqësuesit e kompanisë Mabco kanë kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit, i cili sipas tyre ka shkaktuar vetëm vonesa në realizimin e projektit.
Pacolli ka theksuar se me kompaninë 2A Group duhet të gjendet një zgjidhje e përbashkët dhe të ndalen këto konflikte që kanë sjellë vetëm vonesa, pa prodhuar asnjë efekt pozitiv për projektin.
Ndërkohë, prezenca e forcave të rendit në hyrje të aeroportit mbetet e lartë. Sipas raportimit nga terreni, efektivë të Policisë së Shtetit, forcat speciale dhe punonjës të sigurisë private vijojnë të monitorojnë situatën për të shmangur përplasjet mes palëve.
Ka prezencë të shtuar të forcave të policisë, të forcave ‘Shqiponja’, FNSH-së dhe policisë private. Megjithatë, bllokimi i hyrjes së aeroportit ka krijuar ngërç në zhvillimin e punimeve dhe ka sjellë shqetësime edhe për banorët e zonës.



