Problemet me të shoqen janë bërë shkak i tragjedisë në familjen e rapsodit kosovar, Sami Veseli. Ky i fundit i ka dhënë dje fund jetës së vajzës së tij, Shkurtes, dhe vetvetes. Ai ka qëlluar edhe bashkëshorten e tij, por ajo ende ndodhet në gjendje kome. Sipas familjarëve, të cilët kanë folur për ‘Bota sot’, Veseli, pas 30 vitesh martesë ishte ndarë nga bashkëshortja, prej kur edhe kanë filluar mospajtimet në këtë familje.
Burimi është shprehur se kanë qenë vajzat ato që prishën më tutje harmoninë në këtë familje. Martesa e vajzave të tij me qytetarë gjermanë, që ishin të papranushëm për këngëtarin, ka çuar deri te tragjedia.
Ditën e djeshme, rapsodi Veseli vrau vajzën, e plagosi gruan e tij, dhe në fund veten. Bashkëshortja e tij po lufton për jetë, pas një plumbi që mori në kokë. Familjarët thonë se as për të nuk ka shpresë.



