Raporti i Bankës së Shqipërisë flet për ulje të fortë të çmimeve të apartamenteve në Shqipëri, por e kundërta ndodh me tregun.
Lidhur me këtë në një lidhje skype me ‘MCN Economy’ eksperti i pasurive nga Kosova Ilir Tahiri u shpreh se çmimet në Shqipëri janë rritur me 300-400 euro më shumë krahasuar me 3 vite më parë.
Ai tha se kosovarët nga ana e tyre kanë kërkesa të shumta për blerjen e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe kjo kryesisht në Durrës dhe Shëngjin.
Në Kosovë kemi kërkesa të mëdha për blerje apartamentesh në Shqipëri, veçanërisht në Shëngjin, Durrës, më pak në Vlorë dhe Sarandë, por kërkesat janë të mëdha nga ana e kosovarëve.
Me Shqipërinë kemi pasur disa bashkëpunime dhe tani për tani ajo që vëmë re është se çmimet janë më të larta se ç’kanë qenë, tani i kemi 300-400 euro më shtrenjtë se 3 vite më herët.
Ne çdo ditë kemi kërkesa për prona në Shqipëri, kemi pasur disa takime me kompani të ndërtimeve në bregdetin e Shqipërisë ku një shumicë e kosovarëve kanë blerë në këto ndërtime ku më shumë janë kërkesat në Shëngjin.
Në bazë të takimeve që kemi pasur në Shqipëri çmimet në Tiranë dallojnë shumë me Prishtinën ku çmimi maksimal këtu ka arritur në 2 mijë euro m2, ndërsa në Tiranë ka arritur deri në 4 mijë euro në lagje të caktuara, ku është më e frekuentuar dhe më elitare.
Në Tiranë nuk kemi pasur kërkesë për blerje apartamentesh, kërkesat i kemi më shumë për bregdetin.



