
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e 5 majit në Tiranë.
Sipas dëshmisë së autorit Marjus Dema, ai ka thënë në polici se nuk e dinte që arma ka qenë e mbushur me plumba dhe se ngjarja ndodhi nga pakujdesia.
Autori është shfaqur me lot në sy para policisë kur u vetëdorëzua duke thënë se gjithçka ka ndodhur nga pakujdesia.
Gjithashtu lokali ku ndodhi ngjarja në zonën e 5 Majit ishte marrë me qira nga vetë autori Marjus Dema, 28 vjeç.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.
27-vjeçari Mehmet Qema nga Hasi, është vrarë me një plumb në gjoks. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve, pasi plumbi i kishte prekur organet jetësore duke humbur jetën.



