
Politikania Nora Malaj e ka cilësuar bashkëpunimin PS-PD si paranojë të frikshme të kryeministrit Edi Rama në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
E ftuar në studion e lajmeve të MCN TV, Malaj tha se kryeministri po përpiqet të tërheqë vëmendjen dhe t’i bëjë njerëzit të flasin, ndërkohë që vetë ai siç u shpreh politikania ka frikë nga 25 prilli.
"Kjo është si ajo shprehja “Peshku në det, tigani në zjarr”. Kjo do të thotë se në garën elektorale të gjithë kanë hyrë me siglën e tyre, janë të qartë në aktivitetin që kanë, kanë një program partitë politike. Ndërkohë lideri në ikje i maxhorancës nuk ka program dhe po të shikoni gjithçka e ka ndërtuar me veten e tij, në psikozën e tij. Ai mendon se është ai identiteti, personaliteti dhe të tjetër janë ca zero që përbëjnë numrin e madh të partisë, është ai patronazhisti dhe na ka vënë edhe nga një patronazhist nga pas. Kjo në gjuhën e psikologjisë quhet pagesa e frikës, që do të thotë që njerëzit që kanë frikë, kanë dëshirë që të bëjnë atë “big brotherin” dhe tani hedh disa shashka për të hequr vëmendjen. Mendoj se nuk ia vlen të mbetemi në këtë situatë për arsye se 9 ditë na ndajnë nga 25 prilli dhe paranojat e Ramës janë të frikshme dhe hipotetike dhe njerëzit të flasin për këtë”, tha Malaj.



