
Kryebashkiaku i qytetit të tretë më të madh të Ekuadorit u vra të dielën nga të shtënat me armë zjarri, të cilat vranë edhe një person tjetër dhe plagosën katër të tjerë, përfshirë dy agresorët e dyshuar. Agustin Intriago, një avokat 38-vjeçar, i përkiste lëvizjes lokale Better City në qytetin portual të Mantës dhe së fundmi u rizgjodh në një mandat i cili filloi në maj. Në llogarinë e tij në Twitter, ministri i Brendshëm Juan Zapata raportoi vrasjen e Intriago dhe viktimat e tjera. Ai tha se dy personat e plagosur të dyshuar si të përfshirë në sulm po merrnin kujdes mjekësor nën mbikëqyrjen e policisë. Nuk dihet ende motivi i sulmit, i cili ndodhi teksa kryebashkiaku po bënte një vizitë në lagje. Presidenti Guillermo Lasso shkroi në Twitter se kishte udhëzuar autoritetin më të lartë policor të vendit për të gjetur personat përgjegjës. Policia njoftoi se në vendngjarje janë vendosur njësitet e specializuar. Manta është rreth 260 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Ekuadorit, Quito, në një pjesë të bregdetit të Paqësorit që përdoret nga bandat për të lëvizur ngarkesa të mëdha droge në pjesë të tjera të Amerikës dhe Europës. Ekuadori është mbërthyer nga një shpërthim i rëndë dhune të cilin autoritetet ia atribuojnë mosmarrëveshjeve midis grupeve të krimit të organizuar. Qeveria po përballet gjithashtu me rritje të krimit që përfshin sulme të armatosura, rrëmbime, grabitje dhe zhvatje. Autoritetet thanë gjithashtu të dielën se një betejë midis anëtarëve të bandës rivale të mbajtur në një burg në Guayaquil kishte rezultuar në vdekjen e pesë të burgosurve dhe plagosjen e 11 të tjerëve. Përleshjet shpërthyen në burgun Litoral të shtunën pasdite, të cilat u përshkallëzuan në orët e para të së dielës, ku zhurma e të shtënave dhe shpërthimeve u dëgjuan edhe nga njerëzit në zonat e banuara aty pranë. Litoral konsiderohet si një nga burgjet më të rrezikshëm në Ekuador, ku incidenti i tij më i keq ndodhi në një përplasje bandash në vitin 2021, ku u vranë 119 të burgosur.



