Policia e shtetit ka organizuar një ceremoni për të nderuar dëshmorët e rënë në krye të detyrës në radhët e tyre në 30-vjetorin e krijimit të repartit RENEA
Të pranishëm ishin ministri i Brendshëm Bledi Çuçi si dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Gjatë fjalës së tij Çuçi deklaroi se sot RENEA është elita e policisë së Shtetit dhe e ka fituar këtë titull në sajë të punës së saj ndër vite.
Kanë kaluar plot tre dekada, të mbushura me suksese të jashtëzakonshme, e të arritura përmes punës dhe sakrificës së njerëzve si ju, në dukje të zakonshëm, por edhe me mësime të vyera për të ardhmen, qëkur, më 12 nëntor 1991, kjo njësi u pagëzua me emrin RENEA. Që prej atij nëntori të largët, ky emër ka bashkëshoqëruar çdo aksion të bujshëm, të rrezikshëm, e njëherësh të suksesshëm të Policisë së Shtetit.
Sot, kjo njësi është “elita” e trupës së Policisë së Shtetit, e ky titull glorifikues. Kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin! Gjatë rrugëtimit të vet në këto 30 vite, ky repart ka pësuar ndryshime të rëndësishme, për të arritur në modelin që kemi sot. Por kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë.
Që nga krijimi i saj, kjo njësi ka organizuar dhe zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë. Detyrat që kryen kjo njësi elitë e Policisë së Shtetit, kapin një fushë të gjerë që nis nga çlirimi dhe shpëtimi i pengjeve, te kapja dhe neutralizimi i grupeve të armatosura me rrezikshmëri të lartë shoqërore e deri te dhënia e ndihmës në rastet e emergjencave civile.
Më tej teksa u ndal te buxheti i vitit 2022, Çuçi tha se eshte parashikuar për investime dhe fonde shtesë për policinë.
Në buxhetin e vitit 2022, kemi parashikuar investime dhe fonde shtesë për policinë, posaçërisht për forcat speciale, përfshirë dhe RENEA-n, për blerjen e teknologjive moderne dhe mjeteve të sofistikuara si dronët inteligjentë, kamera e radarë, si dhe çdo pajisje tjetër që do të lehtësojë punën tuaj.
Mbështetja financiare dhe investimet në pajisje dhe teknologji moderne, do të shtohen vit pas viti në këtë mandat 4-vjeçar, por edhe më tej si pjesë e vizionit tonë Shqipëria e Sigurtë - 2030, për të transformuar Policinë e Shtetit dhe Forcat e saj Speciale në shëmbëlltyrën e modeleve më të mira të forcave policore të vendeve të Bashkimit Evropian.



