Bregu: Brenda vitit Ermal Beqiri do të jetë në burgjet shqiptare, po foli rëndon vetëm pozitën e Ergys Agasit (VIDEO)

Bregu: Brenda vitit Ermal Beqiri do të jetë në burgjet shqiptare, po foli rëndon vetëm pozitën e Ergys Agasit (VIDEO)

Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë dhe procedurat që pritet të ndiqen për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ishin në fokus të diskutimit në MCN Live, ku gazetari Sokol Bregu analizoi zhvillimet më të fundit të dosjes së njohur si "AKSHI". 

 

Sipas tij, arrestimi i Beqirit nuk ndryshon thelbin e hetimit, ndërsa personi kryesor që vijon të mbetet në kërkim është Ergys Agasi. Bregu kujtoi se sezoni televiziv nisi me zhvillimet e dosjes "AKSHI" dhe po mbyllet me arrestimin e një prej personazheve kryesorë të saj.

 

E nisëm këtë sezon me dosjen e Akshit dhe po e mbyllim me arrestimin e Ermal Beqirit. I vetmi person që ka mbetur jashtë dhe vazhdon të jetë në kërkim është Ergys Agasi, i cili konsiderohet edhe koka e madhe e kësaj historie. Ajo që ndodhi në Francë lidhet me vetë Ermal Beqirin. Rastësisht ai u përfshi në një verifikim të një videokasete. 

 

Kur arrin në një nivel ku ke fituar miliona euro nga fondet publike, të ndodh që disa mijëra euro t’i shpenzosh pa menduar dhe miliona t’i përdorësh për argëtim. Tangërllëku i tepërt e çoi deri aty sa të fluturonte pa e ditur mbi çfarë territori ndodhej. Me paratë që ka përfituar në Shqipëri mund të jetonte në Francë për shumë vite pa rënë në sy, por ndodhi e kundërta.

 

Duke u ndalur te procedurat e ekstradimit, Bregu tha se, sipas tij, vetë Beqiri do të jetë i interesuar të kthehet në Shqipëri për shkak të kushteve të sistemit penitenciar francez.

 

Pas dy ditësh, njeriu më i interesuar për t'u ekstraduar do të jetë vetë Ermal Beqiri, sepse burgjet franceze janë ndër më të ashprat në Bashkimin Evropian. Jo vetëm ai, por edhe persona të dënuar për disa vrasje kanë kërkuar të ekstradohen pasi kanë përfunduar në burgjet franceze. 

 

Aty ekzistojnë grupe të organizuara brenda burgjeve dhe Franca konsiderohet një nga vendet me sistemin më të vështirë penitenciar. Nëse dihet që ke para, rreziku bëhet edhe më i madh. Edhe nëse kjo nuk do të ishte arsyeja kryesore, Franca ka qenë gjithmonë një nga shtetet më korrekte në marrëdhëniet juridike me Shqipërinë dhe besoj se ekstradimi do të realizohet.

 

Sipas gazetarit, Ermal Beqiri nuk duhet krahasuar me personazhe të tjerë të hetuar vetëm për korrupsion, pasi mbi të rëndojnë edhe akuza të lidhura me krimin e organizuar.

 

Nuk duhet ta ngatërrojmë Ermal Beqirin me biznesmenët e tjerë, si ata të inceneratorëve, që përballen vetëm me akuza për korrupsion. Ky personazh ka mbi supe edhe akuza për pengmarrje dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale. Skenari është i lexueshëm: brenda këtij viti Beqiri do të jetë në burgjet shqiptare. 

 

Të mos harrojmë se aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat i sollën francezët në Shqipëri dhe ata kanë qenë mbështetja kryesore e SPAK-ut. Pa ndihmën e autoriteteve franceze, SPAK-u do të vazhdonte të hetonte vetëm ish-kryetarë bashkish që kishin vite që ishin larguar nga detyra. Pajisjet që Beqiri kishte me vete gjatë fluturimit ishin të detyrueshme për sigurinë e fluturimit, por ai i mbante të fikura.

 

Ai theksoi se ekstradimi i Beqirit nuk pritet të sjellë elemente të reja për dosjen "AKSHI", pasi, sipas tij, hetimi është tashmë i konsoliduar.

 

Ekstradimi i Ermal Beqirit nuk sjell asgjë të re për dosjen e AKSHIt. Ai nuk ka çfarë të tregojë për historinë e vet dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Ergys Agasi ishte ai që bënte lidhjet politike, ndërsa Beqiri merrej me ndarjen e parave dhe përfitimet financiare. Nëse Beqiri vendos të flasë, ai vetëm sa rëndon pozitën e Ergys Agasit, por në fakt nuk ka më nevojë për dëshmi të reja, sepse provat ndaj Agasit janë mbledhur dhe dosja është e plotë. 

 

E vetmja gjë që sjell arrestimi i Beqirit është që ai të përballet me drejtësinë dhe të vuajë dënimin. Pikëpyetja e vetme mbetet nëse ekziston ende një kanal financiar që vazhdon t'i sigurojë të ardhura. Nëse kompania e tij ka kaluar nën administrimin e shtetit, mbetet për t'u parë nëse ka ende rrugë financiare që i shërbejnë atij. Kjo është një çështje që kërkon përgjigje, pasi mënyra se si do të trajtohet në burgjet shqiptare do të jetë tashmë në vëmendjen e prokurorëve të SPAK-ut.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy