Kreu i partisë kryesore opozitare të Turqisë Ozgur Ozel vizitoi të martën kryebashkiakun e burgosur të Stambollit Ekrem Imamoglu, pas gjashtë netësh protestash masive që kërkojnë lirimin e tij.
“Ndihem i turpëruar në emër të atyre që qeverisin Turqinë për atmosferën në të cilën ndodhem dhe situatën që po kalon Turqia. Në burg janë tre luanë, me kokën lart, krenarë për veten, familjet, kolegët e tyre dhe të patrembur”, tha Ozgur Ozel, kreu i Partisë Popullore Republikane turke .
Opozita ka bërë thirrje që sa më shumë njerëz t’i bashkohen protestave. Ndërkohë, autoritetet turke kanë ndaluar disa gazetarë që kanë raportuar për protestat.
Sipas medieve turke, 11 gazetarë janë shoqëruar në polici për mbulimin që u kanë bërë protestave. Gazetarët janë pjesë e më shumë se 200 personave që prokurorët kanë kërkuar masë sigurie me burg.



