
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka qëndruar sot në Laç për të takuar banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pasi është njohur me shqetësimet e personave që kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e tërmetit, kreu i PD-së ka akuzuar qeverinë përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, për trajtim të diferencuar, në bazë të bindjeve politike të të prekurve nga tërmeti.
“Trajtimi preferencial dhe partiak apo në bazë të miqësive, është ankesa e përditshme në cdo zonë të goditur nga tragjedia. Çdo ditë po del më qartë e më shqetësuese mënyra se si janë vlerësuar objektet. Vlerësime të ndryshme për një objekt, verifikime me mjete qesharake nga punonjës te administratës pa asnjë kualifikim, janë kthyer në kembanë alarmi për rrezikun që u kanoset banorëve në qindra banesa.
Është kriminale që qeveria të rrezikojë jetën e qytetarëve vetëm që të mos prekë lekët që u jep oligarkëve. Kjo është dhe arsyeja pse qeveria nuk angazhoi rreth 500 inxhinierë me eksperiencë për të kryer verifikimin e objekteve. Sepse rezultati duhet të jetë sipas interesit të qeverisë dhe jo sipas realitetit”, është shprehur Basha.
Ndërkohë, Kisha 100-vjeçare e Shën Mëhillit në Laç, prej 18 ditësh siguron ushqim dhe strehon 50 familje në oborrin e saj, për të cilat sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk është kujdesur askush.
Basha ishte në zonë për të takuar banorët e prekur nga tërmeti. “Vetë ndërtesa e kishës ka pësuar dëme të mëdha. Edhe pse kanë kërkuar ndihmë urgjente, pasi një pjesë e saj rrezikon të shembet duke rrezikuar kështu jetën e shërbyesve të Zotit dhe të besimtarëve, ende askush nuk i ka ndihmuar”, tha Basha.
Ai shprehu mirënjohje për ekspertët që i janë përgjigjur thirrjes së opozitës për të bërë një vlerësim të gjendjes së kishës, duke vënë në dukje se është detyrimi i shtetit të bëjë vlerësimin dhe të japë zgjidhje për çdo objekt.



