
Si sot, më 26 janar 1926, u bë shpikja e mjetit të parë të komunikimit masiv- televizorit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka bërë të ditur sot në rrjetet sociale se, 97 vjet më parë, John Logie Baird eksperimentoi me versionin e parë të “televizorit mekanik”.
Shkencëtari skocez, John Logie Baird, ishte i pari që shpiku një kuti me figura lëvizëse që ai e quajti “Tele-vision”.
Në ekranin që ishte shumë i vogël, u shfaq një kokë njeriu që lëvizte. Ishte koka e Daisy Elizabeth Gandy, bashkëpunëtores së Baird.
Kutia që solli për herë të parë figurat lëvizëse në shtëpitë e njerëzve, në versionin e saj të parë eksperimental ngjante më shumë me radion, vetëm se zëri shoqërohej me figurën, që qartësohej duke rrotulluar një buton për “skanim elektronik”.
Ekrani ishte tmerrësisht i vogël, dy centimetra i gjatë dhe një centimetër i gjerë.
Në fillim aftësia për të transmetuar figurën larg ishte shumë e kufizuar.
Cilësia e pamjeve ishte në formë pikash dhe me luhatje, por u përmirësua përsëri nga Baird.
Në Shqipëri, televizori hyri për herë të parë në vitet 1960.



