
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në mbledhjen e Komitetit të Energjisë deklaroi se situata hidrike në vend paraqitet e qetë, pasi gjatë ditëve të fundit ka patur një përmirësim.
Balluku tha gjithashtu se bordi ka vendosur që Fierza të mos prodhojnë energji, në mënyrë që të mblidhen të gjitha ujërat. Gjatë ditëve në vijim, Balluku tha se pritet që të ketë sërish prurje të ujërave, pasi parashikohet që të kemi mot me shi.
“Ka pasur një përmirësim ditët e fundit. Ka patur një rritje të liqenit të Fierzës, duke qenë se ne kemi vendosur të mos prodhohet në Fierzë për disa kohë për të grumbulluar të gjitha ujërat, me shpresë që do të kemi edhe në ditët në vazhdim një prurje të re të motit, shpresojmë të jemi në datën 7. Situata është e qetë e mirë menaxhuar”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, edhe pse ndodhemi në këtë situatë, Balluku tha se nuk ka nevojë për panik tek qytetarët, pasi nuk do të ketë as rritje çmimi dhe as ndërprerje të energjisë elektrike.
“Nuk ka vend për panik, por kemi zgjedhur të informojmë qytetarët për transparencë, pasi ka patur një interes shumë të fortë nga publiku. Ne kemi folur edhe për krizën energjetike botërore, flasim për mungesë së energjisë elektrike edhe në botë. Ne e kemi garantuar që nga momenti i parë që nuk do të ketë as mungesë të energjisë elektrike dhe as rritje të çmimeve për familjet shqiptare dhe as për biznesin e vogël”, tha Balluku.



