
Erzeni është një nga surprizat e mëdha në Superiore këtë sezon, teksa mbajnë vendin e tretë në renditje me 29 pikë.
Drejtori i përgjithshëm, Ervis Xhafa, është realist dhe thotë se nuk e kishte menduar këtë ecuri të skuadrës në fillim të sezonit.
Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Xhafa deklaroi se në rast se skuadra në fund të sezonit do të renditeshin në mes të tabelës, do të ishin të kënaqur.
Nuk e kisha menduar që pas 19 ndeshjeve të kishim 29 pikë dhe vendin e tretë. Janë të gjitha bashkë, nga presidenti, te trajneri dhe ekipi. Kemi bërë bashkim energjish të gjithë. Tifozët na kanë mbështetur, janë një plus për skuadrën. Gjithë këto vite i kemi pasur te volejbolli, por në futboll në ndeshjen me Tiranën dhe Kukësin jashtë, ka qenë maksimumi.
Erzeni kishte të paktën që nga 2015, që pretendonte për Superioren. Kishte indicie dhe tentativa. Janë bërë eksperimente në të mirë të futbollit. Vjet ishte ajo dëshira e mirë dhe pasioni e grupi i mirë dhe u arrit ajo që pritej. Erdhëm në Superiore, filluam përgatitjet më 13 korrik. Ishte fati jonë, që erdhi trajneri Kapllani. Të gjithë lojtarët ndihen si në shtëpi në Shijak. Kanë dhënë maksimumin të gjithë.
Nuk jemi në nivelet e skuadrave të mirëpaguara. Jemi në nivelin mesatar. Nëse ne përfundojmë në mes të renditjes në maj, do ishte fantastike për ne. Nuk mendojmë për Europën, por shikojmë ndeshjet një nga një.



