
Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se 715 persona që punonin në organizata mediatike u vranë në luftën civile që la pas vitin e saj të 12-të.
Duke dokumentuar shkeljet e të drejtave kundër civilëve në Siri, SNHR publikoi një raport me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Sipas raportit, gjithsej 715 persona, përfshirë 6 gra dhe 9 të huaj që punonin në media, janë vrarë që nga marsi i vitit 2011, kur filloi lufta civile.
Regjimi i Bashar al-Assadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani vranë gjithsej 553 punonjës të medias, duke përfshirë 5 të huaj dhe 1 grua, gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, 24 përfaqësues të shtypit humbën jetën në sulmet ajrore të Rusisë, e cila është mbështetëse e regjimit të Assadit. Gjatë luftës civile, organizata terroriste DAESH vrau gjithsej 64 punonjës të shtypit, 3 prej të cilëve të huaj dhe 2 gra.
Terroristët e PKK/YPG-së vranë 4 anëtarë të shtypit, ndërsa kundërshtarët ushtarakë dhe grupe të armatosura kundër regjimit vranë 34 punonjës të shtypit, 3 prej tyre gra.
Në sulmet e koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it humbi jetën një punonjës i shtypit, ndërsa 35 punonjës të shtypit, mes tyre një i huaj, u vranë nga grupe të paidentifikuara, raporton Anadolu Agency.
Në raport, ku thuhet se 1.309 persona që punojnë në fushën e medias janë arrestuar që nga fillimi i luftës civile në Siri, theksohet se nuk mund të merrej asnjë lajm nga gjithsej 471 anëtarë të shtypit, 9 prej të cilëve ishin gra dhe 17 ishin të huaj.
Gjithashtu bëhet thirrje për t’i dhënë fund sulmeve ndaj punonjësve të medias dhe lirimin e të arrestuarve.



