Një vajzë 14-vjeçare me origjinë shqiptare, ka akuzuar babanë e saj se e ka dhunuar seksualisht për një kohë mjaft të gjatë. Ditën e djeshme u zhvillua seanca gjyqësore lidhur me këtë çështje, ndërsa e mitura është shprehur se nuk e ka thirrur kurrë “baba” dhe ka konfirmuar të gjitha akuzat në drejtim të tij. “Më ka përdhunuar, e ka bërë për një vit të tërë”, është shprehur ajo. Vajza shqiptare jeton në një komunë në Treviso të Italisë, ndërsa sipas mediave italiane, ngjarja në fjalë u zbulua verën e shkuar.
Ishte nëna e vajzës, e cila bëri denoncimin, edhe ajo pre e dhunës së burrit 46-vjeçar, që nga vitet e para të martesës të bërë në Shqipëri. Abuzimet dhe dhuna në drejtim të gruas duket se erdhi drejt fundit në momentin që vendosi të fliste me të bijën. “Dua të vdes, po… do vetëvritem”, i ka thënë ajo e dëshpëruar vajzës së saj të mitur.
Por vajza i dha përgjigjen surprizuese: “Mos do të më lesh vetëm me atë përbindësh”. Në këtë moment gruaja vendosi që të hetonte dhe zbuloi të vërtetën e tmerrshme. Të shtunave, kur 46-vjeçari ishte vetëm me fëmijët shpërthente dhuna që përfundonte gjithnjë me të njëjtat fjalë: “Mos hapni gojë, në të kundërt do ta pësoni keq”. Gruaja, e cila nuk e kishte denoncuar kurrë të shoqin për keqtrajtim, vendosi të shkonte në polici. Autoritetet lëshuan menjëherë urdhër-mbrojtje ndaj gruas dhe fëmijëve. 46-vjeçari u largua nga shtëpia.
“Në fillim”, tha 14-vjeçarja në seancën dëgjimore, “më prekte në pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, rreth një vit më parë, nisi dhuna seksuale e vërtetë”. E reja tregoi më tej se i ati ishte në veçanti xheloz për të. “Nuk më linte të dilja me askënd dhe nëse e bëja më mbulonte me fyerje. Unë dhe mami ishim të tijat, pa kushte. Nuk kam folur më parë sepse më kërcënonte”.



