
Sytë e politikës europiane u kthyen dje nga Britania, ku u diskutua marrëveshja me 585 faqe për Brexit-in, kapitulli i fundit i sagës së divorcit nga BE-ja të ekonomisë së pestë më të madhe të botës. Por miratimi e kësaj marrëveshjeje ka pasur kosto për qeverinë May. Një nga arkitektët kyçë të saj, Sekretari britanik për Brexit-in, Dominic Raab, dha dorëheqjen. Raab e argumenton këtë vendim duke thënë se propozimet e kryeministres mund të çojnë në shpërbërjen kushtetuese të Mbretërisë së Bashkuar. Ai është Sekretari i dytë i Brexit, që lë detyrën në më pak se gjashtë muaj.
Kjo ishte nga nga katër dorëheqjet e së enjtes nga kabineti, çka bën që të hidhen dyshime mbi pretendimet e May se e ka siguruar mbështetjen e qeverisë së saj për këtë marrëveshje.
Krahas Raab është larguar edhe ministri i Punës, McVey dhe ai për Irlandën e Veriut, Shailesh Vara. Më pas është dorëhequr edhe nënsekretarja për Brexit-in, Suella Braverman.
Nigel Farage, lideri i euroskeptikëve britanikë, është shprehur se “çdo pjesëtar i kabinetit, që e ndien veten mbështetës i Brexit-it autentik, duhet të dorëhiqet menjëherë ose nuk do të jetë më i besueshëm, sepse kjo është marrëveshja më e keqe në histori”.
Britanisë i mbeten 134 ditë deri në momentin kur skadon zyrtarisht afati i largimit nga Unioni me një plan për doganat dhe angazhimet kufitare me BE-në. Pa një plan të tillë, vendi mund të përballet me kaos në porte, një skenar, i cili që tani ka ndikuar në grumbullimin e ushqimeve dhe ilaçeve.
A mund të mbijetojë marrëveshja Brexit?
Dërgimi i ndonjë marrëveshjeje në Parlamentit do të ishte gjithmonë e vështirë për kryeministren May, të cilës i duhen të paktën 320 vota nga 650 gjithsej për të mbështetur marrëveshjen. Konservatorët në pushtet janë qeveri e pakicës, që mbështetet nga anëtarët e Partisë Demokratike të Bashkimit Demokratik të Irlandës së Veriut (DUP).
Kjo e fundit nuk do të mbështesë ndonjë marrëveshje që e trajton krahinën britanike ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar dhe laburistët kanë konfirmuar sot se do të votojnë kundër.



