Policia e Koresë së Jugut po heton 17 ushtarë amerikanë dhe pesë persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë kontrabanduar ose përdorur marijuanë sintetike përmes postës ushtarake.
Kjo pason kontrollet në të paktën dy baza të ushtrisë amerikane në maj, duke përfshirë Camp Humphreys, bazën e saj më të madhe jashtë shtetit.
Një filipinas dhe një koreano-jugor janë arrestuar, ndërsa prokurorët po shqyrtojnë rastet ndaj të 22 të dyshuarve.
Kontrollet e përbashkëta nga policia e Koresë së Jugut dhe Divizioni i Hetimeve Kriminale të Ushtrisë Amerikane gjetën 77 gramë kanabis sintetik, më shumë se 4 kg “lëng të përzier” të përdorura për avullim dhe një total prej 12.850 dollarësh tek 22 të dyshuarit.
Ata akuzohen për trafik marijuane sintetike, të njohur me emrat e rrugëve K2 dhe Spice, përmes shërbimit postar të ushtrisë amerikane.
Shtatë prej tyre, përfshirë pesë ushtarë, mendohet se kanë qenë të përfshirë në shitjen e drogës, 12 ishin përdorues dhe tre vepronin si ndërmjetës.
Bashkëshortja e një ushtari dhe e fejuara e një ushtari tjetër janë gjithashtu të përfshirë, tha policia për BBC.
17 ushtarët janë aktualisht të stacionuar në kampin Humphreys, rreth 48 km në jug të kryeqytetit Seul, dhe në Camp Casey, një post ushtarak rreth 40 km në veri të Seulit, sipas policisë.
Ata dyshohet se shpërndanin drogën në baza ndërsa komunikonin përmes Snapchat.
Marijuana sintetike është bërë për të imituar THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i marijuanës.
Ndërsa ka efekte të ngjashme me kanabisin, ai zakonisht është më i fuqishëm dhe raportohet se prodhon efekte të pafavorshme shëndetësore, duke përfshirë episodet akute psikotike, deluzione paranojake dhe acarim të rëndë.
Është e vështirë të zbulohet sepse përdoret shpesh në formë të lëngshme në pajisjet legale të cigareve elektronike, tha policia.



