"Jini të vetëdijshëm që si përfaqësues të mediave, ju jeni të domosdoshëm në situata krize, keni një mundësi të shkëlqyer për të mbështetur, stabilizuar emocionet në shoqëri dhe të ndikoni në sjelljen specifike të njerëzve".
Janë disa grupe individësh që janë të detyruar të jenë në krye të detyrës pavarësisht çdo situate. Pjesë e tyre janë dhe gazetarët, të cilët rrallëherë përmenden për misionin e tyre të vështirë. Kanë qenë psikologët, gjithashtu në krye të detyrës këto ditë duke ofruar suportin e tyre, që kanë hartuar një material me "Rekomandime psikologjike për gazetarët". Një ide e Urdhrit të Psikologut për të qenë sa më pranë misionarëve të medias që synojnë në ccdo moment të jenë zëri i publikut.
Në një intervistë për TvT.al, me një nga anëtarët e Urdhrit të Psikologut, psikologia Elona Mustafaraj na sqaron më shumë se si e përjetojnë personat e detyruar për të qenë në punë këtë situatë.
Për shkak të COVID-19 shumë janë izoluar, disa punojnë nga shtëpia, por disa duhet të lëvizin në terren. Sa e vështirë është për këta persona në aspektin psikologjik për ta përballuar situatën?
Secili prej nesh ka karakteristikat e veta të menaxhimit të situatave stresante. Vështirësia e të punuarit në terren shoqërohet me pasiguri për shëndetin personal dhe atë të familjarëve që qëndrojnë në shtëpi. Ata të cilët punojnë në linjën e parë janë më të ekspozuar ndaj riskut krahasuar me ata që qëndrojnë në shtëpi apo që punojnë në sektorë me rrezikshmëri më të ulët. Intesiteti i këtyre ditëve dhe atyre që priten të vijnë do të kërkojë më shumë energji fizike dhe mendore dhe si pasojë kjo mund të reflektohet në gjendjen e përgjithshme të tyre, ndoshta duke u manifestuar edhe me simptoma fizike (lodhje fizike, dhimbje koke etj) apo psikologjike (rënie të humorit, mungesë përqëndrimi, shqetësim, nervozizëm etj).
Para pak ditësh, Urdhri i Psikologut, hartoi disa “rekomandime psikologjike" për gazetarët, mendoni se kjo situatë është e ngjashme me situata të tjera emergjence, pra a përjetohet edhe më shumë psikologjikisht?
Si fillim më lejoni të bëj një analizë të kushteve psikologjike në këtë situatë emergjence. Situata më e afërt e emergjencës me të cilën jemi përballur, ka qënë ajo e tërmetit e 26 Nëntorit 2019. Nëse i krahasojmë të dyja situatat janë shumë të ndryshme. Në rastin e parë, gjendja e emergjencës ishte e kufizuar në disa qytete, intenstitetin më të lartë e shënoi me një goditje e cila rezultoi shkatërruese dhe ajo që psikologët kërkuan për të përballuar situatën ishte ruajtja rutinës me qëllim përballimin e saj. Sot jemi në kushtet e një gjendjeje emergjence në të gjithë vendin dhe pasiguria se kur mund të prekemi (ne apo familjarët tanë) është prezente te e gjithë popullata. Askush nuk është në gjendje të na thotë se kur do të përfundojë, pra është një situatë konfuze. Rutina jonë ka ndryshuar, lëvizjet janë kufizuar, aktivitetet sociale janë të ndaluara dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk duhet dhe nuk mund të kemi kontakt me njëri- tjetrin. Pra mbështetja sociale mund të vijë vetëm nëpërmjët mediave sociale. Të gjitha këto ndryshojnë edhe strategjitë tona të përballimit të situatës.
"Rekomandimet psikologjike" për gazetarët janë të rëndësishme në kushtet kur duhet të përballen me frikërat dhe pasiguritë e tyre personale dhe në të njëjtën kohë do t'u duhet të njoftojnë informacione jo të këndshme, siç mund të jenë humbje jetësh, infektim të personelit mjekësorë, kolegëve, apo punonjës të grupeve të tjera të ndihmës. Gjithashtu, ata janë përgjegjës edhe për informacionin dhe mënyra se si e japin atë ndikon edhe në qëndrimin që audienca mban ndaj tij. Pra, kanë fuqinë të informojnë, ndërgjëgjësojnë, formojnë emocione dhe të ndryshojnë sjelljet e atyre që i ndjekin. Ky është një funksion i rëndësishëm. Limitet personale duhen njohur për t’i lejuar që të kuptojnë atë që mund dhe nuk mund të bëjnë dhe ajo që është më e rëndësishmja të kërkojnë ndihmë kur t’u duhet.
Çfarë këshille shtesë keni ju për gazetarët?
Përpos vështirësive të situatës, rekomandimi im është të kërkojnë pauza për të shmangur mbingarkesën. Në mënyrë të rregullt të përfshihen në aktivitete të kënaqshme për të shkarkuar emocionet e grumbulluara. Ndoshta tani nuk e kuptojnë sepse janë të përfshirë nga intensiteti i situatës, i cili mund t’i çojë shumë shpejt në konsumim profesional. Kjo do të ndikojë më pas në jetën e tyre personale, ndërpersonale dhe profesionale. Të gjithë ne do të ndiejmë ngarkesat e këtyre ditëve kur ato të kenë përfunduar. Që pasojat të jenë sa më të pakta, duhet të marrim masa që tani.
Cili ka qenë rasti më delikat që keni rastisur këto ditë?
Më duhet të them së pari që nevojat e referuara këto ditë kanë qënë të lidhura me problematika të mëparshme të individëve. Ato nuk janë krijuar nga situata e shkaktuar nga COVID-19 apo masat shtrënguese të marra për të parandaluar rrezikun e infektimit. Kjo situatë thejsht i ka bërë të dukshme problemet ekzistuese. Do t’i shohim pak më vonë pasojat e lidhura me këtë situatë. Përgjithësisht rastet që kanë kërkuar ndihmë psikologjike kanë patur elementë të ankthit apo episode të atakut të panikut, kjo përgjithësisht te moshat e rritura. Adoleshentët më shumë kanë referuar shqetësimin për vijimësinë e shkollës apo gjendje mërzitjeje për shkak të ndryshimit të rutinës. Ndërhyrjet e realizuara kanë synuar një kontroll më të mirë mbi mendimet, emocionet dhe si pasojë edhe të sjelljes. Qëllimi ka qenë të ndihmuarit në hartimin e një plani aktivitetesh ditore dhe javore në kushtet e izolimit.
Në kontakte që ju keni me pacientë dhe me njerëz të ndryshëm, ndihen më mirë ata që qëndrojnë në shtëpi apo ata që dalin për punë?
Unë mendoj se janë dy situata të ndryshme dhe si të tilla shoqërohen me shqetësime të ndryshme. Ata që qëndrojnë në shtëpi kanë shqetësimin e humbjes së vendit të punës p.sh apo të pasigurisë për të plotësuar kërkesat e familjes, ndërsa ata që dalin për të punuar kanë shqetësimin e një mundësi më të madhe për t'u infektuar dhe si pasojë një risk më i lartë edhe për familjarët. Pra këta të dytët nisin të ndërtojnë edhe ndjenja faji lidhur me të qenurin një burim i mundshëm infektimi. Në këtë situatë, të një pasigurie të madhe është e vështirë, të ketë një individ të mos ndiejë shqetësim. Ajo që ndryshon është mënyra e shfaqjes dhe aftësia përballuese.
Njerëzit që kanë “luksin” të rrinë në shtëpi duhet të ndihen falenderues?
Ne po flasim për përjetimin emocional të kësaj situate emergjence, dhe siç thamë në fillim, ky është një përjetim emocional. Kush ka mundësi të punojë nga shtëpia mund të jetë më i sigurtë, por jo i parrezikuar për të përjetuar negativisht situatën. Çdo gjë varet nga aftësitë që kemi për të përshtatur strategjitë përballuese të stresoreve, në varësi të situatës. Ne të gjithë duhet të kuptojmë se jemi përkohëshisht të shëndetshëm në këtë situatë, qoftë edhe në nivel psikologjik. Sa më shpejt të kuptojmë se çfarë i nevojitet organizmit tonë për të qënë mirë, aq më lehtë do të përballemi me gjithë këtë./TvT.al/ Intervistoi: Lisana Subashi



