Efektivët e Sektorit të Shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat (SHÇBA) Vlorë kanë vënë në pranga mëngjesin e sotëm shefin e seksionit për hetimin e ngjarjeve të qarkullimit rrugor në Vlorë.
Myslym Ismailaj, 55 vjeç, është arrestuar në lidhje me aksidentin tragjik të javës së kaluar, ku humbi jetën një 19-vjeçar dhe u plagos rëndë një tjetër.
Sipas njoftimit të policisë, “Myslym Ismailaj në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi K.P. dhe ngeli i plagosur shtetasi P.B.
Sipas hetimeve, më datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës se spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident P.B. dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet do t'i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës", "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës" dhe "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".



