MCN TV zbardh pjesë nga dosja hetimore e AKSHI-t dhe pamje se si biznesmeni Ergys Agasi i afrohet në takim drejtueses së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, në një nga takimet që dyshohet se flitet për aferat e tenderave korruptivë.
Në fotografitë e siguruara, Agasi i drejtohet Karccanaj me fjalët “Hej ça po bën ti zemra”.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie” drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e cila akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal dhe për zëvendës drejtoreshën Hava Delibashi, mbi të cilën rëndojnë të njëjtat akuza, dhe po ashtu ajo është lënë në “arrest shtëpie”.
Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailin është caktuar pezullimi nga detyra.
Ndaj zëvendës drejtorit të pezulluar për hetimin e Krimit në policinë e Tiranës, Erion Ismaili, SPAK ka ngritur akuzat konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
“Arrest me burg”, është caktuar ndaj Ergys Agasi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Arrest me burg”, është caktuar edhe ndaj Ermal Beqiraj, për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.



