Start-up-et në Shqipëri vijojnë të mbeten në fazat e para të zhvillimit, pavarësisht ekzistencës së një ligji të posaçëm dhe strukturave shtetërore të ngritura për mbështetjen e tyre.
Mungesa e investitorëve aktivë, boshllëqet ligjore dhe niveli ende i ulët i dixhitalizimit janë disa nga sfidat kryesore që pengojnë rritjen e këtij ekosistemi, sipas ekspertëve të ftuar në ‘MCN Economy’.
Sipërmarrësi dhe eksperti i ekonomisë, Rrezart Lahi, theksoi se start-up-et janë biznese inovative që krijojnë vlerë të shtuar, kryesisht në fushën e teknologjisë, por që për t’u shndërruar në kompani të rëndësishme kanë nevojë për financime të konsiderueshme.
Start-up-et kanë filluar të zhvillohen prej disa vitesh dhe janë biznese inovative që sjellin të ardhura shtesë, kryesisht në sektorin teknologjik. Hapat e parë mund t’i zhvillojnë vetë themeluesit, por për t’u zgjeruar dhe për t’u kthyer në sipërmarrje të rëndësishme nevojiten investime të mëdha. Ne vetë kemi investuar në dy start-up-e të lidhura me teknologjinë.
Sipas Lahit, Shqipëria mbetet shumë prapa vendeve të rajonit, si Serbia, për shkak të mungesës së instrumenteve të duhura ligjore që lehtësojnë investimet private.
Problematikat kryesore nuk lidhen vetëm me legjislacionin e start-up-eve, por edhe me mungesën e grupeve të investimeve. Sot duhet të bëjmë akrobaci për të blerë aksione në një kompani inovative. Nëse dua të investoj në një aplikacion, aksionet e tij mund të blihen vetëm mbi bazën e vlerës kontabël. Në momentin që investoj 200 mijë euro dhe zotëroj vetëm 30% të aksioneve, kjo nuk përbën një marrëveshje tërheqëse për investitorin. Ka shumë grupe shqiptare të interesuara për të investuar, por mungojnë hapësirat ligjore që e bëjnë këtë proces të thjeshtë dhe funksional.
Ai shtoi se roli i shtetit duhet të jetë më shumë rregullator sesa financues, ndërsa kërkoi më shumë transparencë për efektivitetin e fondeve të akorduara për start-up-et.
Do të doja të shihja se sa nga fondet e shpërndara kanë prodhuar rezultate konkrete. Nëse nga 30 start-up-e të financuara, tre prej tyre janë bërë të suksesshme dhe kanë gjeneruar fitime, atëherë kemi një tregues pozitiv. Ideja e mbështetjes financiare është shumë e mirë, por zbatimi ka pasur problematika dhe raste abuzimi.
Nga ana tjetër, konsulenti për start-up-et, Gerion Treska, argumentoi se zhvillimi i këtij sektori është i lidhur ngushtë me nivelin e inovacionit dhe dixhitalizimit në vend.
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes start-up-eve, inovacionit dhe dixhitalizimit. Nuk mund të flasim për zhvillimin e start-up-eve nëse nuk kemi një nivel të caktuar dixhitalizimi. Shqipëria ka ende një treg të varfër të parasë dhe këto dy elemente ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin e zhvillimit të sipërmarrjeve inovative.
Sipas tij, avantazhi kryesor i një start-up-i është aftësia për të depërtuar shpejt në tregjet ndërkombëtare me kosto relativisht të ulëta, por kjo kërkon një klimë të besueshme ligjore dhe fiskale.
Nëse duam të tërheqim investitorë, duhet të kemi një legjislacion serioz dhe transparent. Instrumentet financiare janë një tregues i rëndësishëm i cilësisë së ekosistemit të start-up-eve. Ne ende nuk kemi investitorë të mirëfilltë për këtë sektor. Ligji aktual i start-up-eve rregullon kryesisht grantet mbështetëse, por nuk adreson mjaftueshëm nevojat e investitorëve privatë.
Treska nënvizoi se problem mbetet edhe mungesa e rregullimeve fiskale dhe e mbrojtjes së të drejtave të autorit, faktorë që sipas tij i shtyjnë sipërmarrësit e rinj të largohen jashtë vendit.
Legjislacioni fiskal dhe mbrojtja e të drejtave të autorit janë elementë që prekin menjëherë një start-up. Për aq kohë sa nuk i rregullojmë këto çështje, kompanitë me potencial do të zgjedhin të zhvendosen në vende ku kuptohet më mirë risku dhe ku ekziston siguri më e madhe për investitorët. Investitorët e huaj kanë pikëpyetje të mëdha mbi qëndrueshmërinë e legjislacionit shqiptar.
Duke iu referuar statistikave globale, Treska kujtoi se rreth 90% e start-up-eve në botë dështojnë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël arrin të krijojë vlerë dhe të shndërrohet në biznes të qëndrueshëm.
Fondet e shpërndara nuk duhen parë si investime klasike biznesi. Start-up-et në Shqipëri ende nuk janë bërë pjesë organike e ekonomisë sonë. Përpara se të flasim për zhvillimin e tyre masiv, duhet të investojmë te dixhitalizimi dhe krijimi i një mjedisi më të favorshëm për sipërmarrjen inovative.



