
Konfindustria ka reaguar pas vendimit të Bordit të Transparencës që ka ulur me 1 lekë çmimin e naftës, ndonëse në bursë ka pësuar një rënie rekord.
Konfindustria thotë se Bordi duhet të shkrihet dhe të themelohet Enti Rregullator i Karburanteve. Sipas Konfindustrisë Bordi po vepron në dëm të interesit publik dhe favorizon kartelin e karburanteve.
Konfindustria i kërkon vendimarrjes politike të ndërmarri nismën ligjore për shkrirjen e menjëhershme të Bordit të Trasparencës/BT shoqëruar me themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve/ERK. ERK të krijohet si institucion i përhershëm, profesional dhe në varësi të Kuvendit të Shqipërisë, sipas modeleve rajonale të provuara të suksesshme. BT është institucion i përkohshëm, në varësinë e qeverisë dhe përbëhet në një akt te qartë konflikti interesi në gjysmën e anëtarëve nga subjektet, që duhet të kontrollohen. Konfindustria vlerëson, se Bordi i Trasparencës në gjithë vendimmarrjet e tij ka vepruar në dëm të interesit publik, duke favorizuar qartësisht kartelin e karburanteve, sidomos në çmimet e tregut të shumicës dhe tarifat e operacioneve portuale dhe depozituese, si dhe shtimin e sforcuar të të ardhurave publike me pasoja të rënda për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë.
Më tej në njoftim thuhet se çmimi i naftës me pakicë duhej të ishte nën 200 lekë/litër, ndërsa Shqipëria ka sot çmimet e karburanteve nga më të lartët në botë në vlerësim relativ dhe 20-30% në vlerësim absolut në rajon.
Ngarkesa fiskale është nga më të lartat në rajon, duke nxitur qartësisht kontrabandën masive. Kostot e abuzimit në sektorin e karburanteve shoqëruar dhe me kontrabandën masive në dëm të buxhetit të shtetit, mund të arrijnë deri në 500 milionë/vit në dëm të bizneseve, qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik në afatgjatë. Këtu nuk llogariten kostot e dëmeve mjedisore, shëndetësore, makineri, pajisje dhe pasojat e drejtpërdrejtë në sektorët e tjerë të ekonomisë.



