
Një stuhi në brigjet perëndimore të Indisë është forcuar duke u bërë një ciklon i fuqishëm që mund të godasë shtetin Gujarat të Indisë dhe pjesët jugore të Pakistanit këtë javë. Cikloni, i quajtur Biparjoy, pritet të godasë tokën të enjten pasdite midis zonave të Mandvi në Gujarat dhe Karaçi në Pakistan me një shpejtësi maksimale të qëndrueshme të erës prej 125-135 km/h, sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë. Departamenti Meteorologjik i Indisë ka këshilluar komunitetet e peshkimit të ndalojnë aktivitetin si dhe të bëhet evakuimi i njerëzve nga zonat bregdetare të rajoneve Saurashtra dhe Kutch të Gujarat. Në Pakistanin fqinj, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive tha se po jepeshin udhëzime lidhur me masat paraprake në pjesët jugore dhe juglindore të vendit që ka të ngjarë të preken. Zyrtarët nga qeveria provinciale Sindh njoftuan se po përgatiteshin të evakuonin njerëzit nga tre rrethe që mund të prekeshin nga cikloni. Sindh është provinca e dytë më e populluar në vend.



