
Gjenerali Abdurrahman Çiani që ndërmori grushtin e shtetit në Niger ka nisur të ndërtojë kabinetin e tij qeveritar. Të mërkurën ai ka emëruar disa zyrtarë në poste të ndryshme. Situata tensionohet nga dita në ditë, pasi koalicioni i vendeve afrikano-perëndimore i ka lënë kohë që të largohet deri të dielën e gjashtë gushtit, përndryshe do ketë ndërhyrje ushtarake. Blloku rajonal afrikan ka vendosur sanksione të rënda ekonomike, por fqinjët e Nigerit janë përgjigjur se nëse ka ndërhyrje ushtarake, kjo është shpallje lufte edhe për ta. Grupe të ndryshme negociatore kanë zbarkuar në Niamei për të ulur tensionet, ndërsa stafet e ambasadave perëndimore evakuohen. Rajoni është përfshirë nga trazira dhe grushte shteti që nga viti 2020 në Burkina Faso, Çad, Guine, Mali dhe Sudan. Ndërsa kriza thellohet, në Perëndim ka një shqetësim në rritje për eksportet e uraniumit nga Nigeri, një nga shtatë prodhuesit kryesorë në botë. Ky element përdoret kryesisht për energjinë bërthamore. Brenda BE-së, Franca ka prani në minierat e uraniumit në Arlit të Nigerit, por kryengritja ka marrë përmasë antikoloniale dhe nuk dihet nëse do të rinovohet kontrata me kompaninë franceze. Mediet amerikane shkruajnë se nëse Nigeri bie në orbitën ruse, bota do të varej edhe më shumë nga Moska për energjinë atomike. Kazakistani dhe Uzbekistani, dy ish-republika sovjetike, janë ndër prodhuesit kryesorë të uraniumit në botë, duke zënë rreth 50% të furnizimit global. Bashkë me Nigerin dhe vetë Rusinë që është furnitor uraniumi në botë, mbi 60 % e karburantit bërthamor botëror mund të bjerë në duart e Kremlinit, shkruajnë mediat amerikane.



