Apple ka mohuar pretendimin e Rusisë se gjigandi i teknologjisë ka lejuar shërbimet e inteligjencës amerikane të përdorin produktet e saj për të spiunuar diplomatët e huaj.
“Ne kurrë nuk kemi punuar me asnjë qeveri për të futur një derë të pasme në ndonjë produkt të Apple dhe nuk do ta bëjmë kurrë”, tha një zëdhënës i kompanisë në një deklaratë për mediat të enjten.
Mohimi erdhi pasi Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) akuzoi agjencitë e inteligjencës amerikane për instalimin e malware në telefonat inteligjentë të Apple të përdorur nga diplomatët rusë, si dhe diplomatë nga vende të tjera, duke përfshirë Izraelin, Kinën dhe Sirinë.
Sipas FSB-së, amerikanët mblodhën informacione përmes "një programi keqdashës të panjohur më parë që përdor dobësitë e softuerit të ofruara nga prodhuesi". FSB akuzoi gjithashtu Apple se i ofron qeverisë amerikane "një gamë të gjerë mundësish" për të spiunuar klientët e saj.



