Xhami i derës kryesore të një banke në Tiranë është thyer gjatë orëve të natës, por grabitësi që ka hyrë brenda nuk ka marrë asgjë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, rreth orës 00:17 pas mesnate.
Policia sqaron se dera e bankës është thyer me gurë dhe pasi ka kontrolluar sirtarët e bankës, grabitësi është larguar prej andej.
“Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor dhe kqyerja e kamerave të kësaj banke, ka rezultuar se një shtetas pasi ka thyer xhamin me sende të forta (gurë), ka hyrë brenda bankës ku ka kontrolluar sirtarët dhe më pas është larguar pa marrë asgjë, sipas edhe deklarimeve të punonjësit të bankës”, sqaron policia.
Sipas deklaratës, nga këqyrja e kamerave rezultoi se ky shtetas i ka kryer këto veprime për 20 sekonda dhe më pas është larguar me shpejtësi. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.



