Zhduket Christopher Steele, ish-agjenti i MI6, shërbimi inteligjent britanik, autor i raportit sekret prej 35 faqesh për presidentin e SHBA-ve Donald Trump.
Mediat britanike raportojnë se ai është larguar nga vila e tij 1.5 milionë paund, nga frika pas publikimit të lajmeve për dosjen ku përfshihen edhe afera seksuale të manjatit amerikan të zgjedhur president të SHBA-ve, Donald Trump.
Sipas "Daily Mail", raportohet se Steele, baba i tre fëmijëve dhe i ve, ka kërkuar nga fqijët që të kujdesen për macen e tij dhe është larguar pa dhënë detaje se ku do të shkonte.
“Ai është i tmerruar për sigurinë dhe jetën e tij”, shkruan "Daily Mail", duke iu referuar një burimi.
Mendohet se Steele është larguar nga Britania ditën e djeshme, pasi ka frikë se mos vritet nga agjentë sekretë rusë.
Steele ka punuar për thuajse 20 vite në Moskë, ku ka qenë spiun i Britanikëve në Bashkimin Sovjetik nga viti 1986 deri në rënien e unionit.
Raportohet se dikur ai ka punuar edhe me spiunin e vrarë rus, Alexander Litvinenko. Kreu i një agjencie të inteligjencës në një vend europiano-lindor, është i bindur ndërkohë se videoja e seksit të Donald Trump ekziston, edhe pse ky i fundit e mohon një gjë të tillë. Madje, BBC raporton se ka edhe një dosje të dytë, që e vë në pozitë të vështirë Donald Trump.



