
Deputetja e Partisë Demokratike, Sorina Koti thotë se ka pasur edhe ndërhyrje të partive europiane para kuvendit së 11 dhjetorit për krizën në PD, por kryedemokrati Lulzim Basha nuk i ka pranuar.
Në një intervistë për MCN TV Koti u shpreh se shpresat ishin që të mos bëhej një kuvend, ndërkohë që lidhur me negocimet sipas deputetes ish-lideri Sali Berisha është treguar më i hapur.
“Në dijeninë time ka pasur edhe ndërhyrje europiane për këtë para kuvendit së 11 dhjetorit. Shpresat ishin që të mos bëhej një kuvend. Është bërë tentativë për ndërhyrjen e tyre, por nuk ka pasur negocime nga Basha. Berisha ka qenë më i hapur”, u shpreh Koti.
Intervista:
Zonja Koti, pyetja e parë lidhet drejtpërdrejt me ju. Keni mbështetur fushatën e Sali Berishës, por nga ana tjetër, zoti Basha nuk ju ka përjashtuar dhe as ju ka pezulluar nga funksionet në parti. Pse kjo tolerancë?
Koti: Është e vërtetë që kam ndjekur foltoren dhe Kuvendin e datës 11 dhjetor. Patjetër kam qenë pjesë e protestës më 8 janar sepse mendoj se partia i përket demokratëve. Mendoj se nuk kam marrë një masë pezullimi sepse nuk kam një pozicion drejtues në strukturën e administratës politike por kjo nuk do të thotë se jam tërhequr nga nisma për të qenë në ballë të rithemelimit të PD, duke mos pasur mendësinë e mbylljes së partisë apo përjashtimit.
Në Parlament, ju do të qëndroni në grupin parlamentar të Partisë Demokratike apo do të qëndroni si e pavarur, ashtu si Sali Berisha apo deputetë të tjerë demokratë të përjashtuar?
Koti: Ne jemi pjesë e PD dhe grupit parlamentar. Ne kemi një mandat nga demokratët dhe vendimi është pavarësisht pezullimit të kolegëve të mi do ulemi në grupin parlamentar demokar duke pasur prioritet luftën me Ramën. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në luftën me këtë qeveri. Ne e kemi të qartë objektivin tonë dhe kjo nuk do të ndryshojë.
Pse nuk ndërmerret një fushatë negocimi brenda partisë. Kaq e vështirë është të gjendet një zgjidhje brenda jush si dhe mes Lulzim Bashës e Sali Berishës?
Koti: Mendoj se nuk është e vështirë pasi kjo është tentuar në parim nga Basha para se Berisha të bëhej non grata. Më pas ka pasur deputetë të Berishës që janë përpjekur për të gjetur një balancë të mesme. Në dijeninë time ka pasur edhe ndërhyrje europiane për këtë para kuvendit së 11 dhjetorit. Shpresat ishin që të mos bëhej një kuvend. Është bërë tentativë për ndërhyrjen e tyre, por nuk ka pasur negocime nga Basha. Berisha ka qenë më i hapur.



