Ushtria izraelite ka konfirmuar se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif u vra në një sulm ajror në Rripin e Gazës muajin e kaluar.
Deif ishte në shënjestër në sulmin në një kompleks në zonën Khan Younis më 13 korrik. Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Izraeli thotë se Deif ishte një nga figurat përgjegjëse për planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në Izraelin jugor, ku 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
Të mërkurën, udhëheqësi politik i Hamasit Ismael Haniyeh u vra gjatë një vizite në Iran. Izraeli nuk e ka komentuar drejtpërdrejt vdekjen e tij.
Izraeli nisi një ndërhyrje masive ushtarake në Gaza pas sulmeve të tetorit, duke thënë se synonte të shkatërronte Hamasin.
Të paktën 39,480 njerëz janë vrarë deri më tani, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës.



