Elefanti i fundit i kopshtit zoologjik të Afrikës së Jugut është lëshuar sërish në natyrë pas 40 vitesh robëri.
Elefanti, i quajtur Charlie, u kap në vitin 1984 në parkun kombëtar Hwange të Zimbabvesë, kur ishte dy vjeç.
Ai u dërgua në Bosëell Wilkie Circus në Afrikën e Jugut ku dhe u trajnua. Në fillim të viteve 2000 ai u transferua në të vetmin kopsht zoologjik kombëtar të vendit.
Vitet e fundit, grupet e mbrojtjes së kafshëve kanë kërkuar që elefanti të lirohet për shkak të shqetësimit për shëndetin e tij.
Të martën, Fondacioni EMS, i cili mbron të drejtat e jetës së egër, njoftoi se pas një udhëtimi katër-orësh drejt lirisë, elefanti kishte mbërritur në shtëpinë e tij të re në Rezervën Private Shambala në provincën Limpopo.
Ngjarja historike pasoi vite negociatash me qeverinë e Afrikës së Jugut, pasi Fondacioni EMS dhe partnerët e tij siguruan prova shkencore për të treguar se elefantët vuajnë në kopshtet zoologjike.
Në kopshtin zoologjik, elefanti Charlie thuhet të ketë qenë dëshmitar i vdekjes së katër elefantëve të tjerë, përfshirë edhe këlyshin e tij që ishte më pak se një muajsh.
Në vitin 2019, u ngritën shqetësimet se elefanti po shfaqte shenja shqetësimi të zakonshme me kafshët në robëri.
Instituti Kombëtar i Biodiversitetit të Afrikës së Jugut, i cili drejton kopshtin zoologjik mohoi, duke thënë se ishte sjellje e mësuar nga vitet e jetës së cirkut që nuk do të mësohej kurrë plotësisht.
Të martën, organizata për mirëqenien e kafshëve Four Paës, e cila bashkëpunoi me Fondacionin EMS, tha se “dalja në pension e elefantit ishte një moment historik i rëndësishëm për elefantin Charlie, por edhe për mirëqenien më të mirë të kafshëve në Afrikën e Jugut”.
Shtëpia e re e elefantit është një rezervë prej 10.000 hektarësh me një popullsi të lulëzuar elefantësh, të njohur për riintegrimin e suksesshëm të kafshëve në natyrë.
Charlie do të monitorohet nga afër nga ekspertë veterinar dhe të sjelljes.
“Ëndrra jonë është që me ritmin e tij, Charlie të mësojë të jetë elefanti që ishte menduar gjithmonë të ishte dhe së shpejti, ai do të takohet dhe do të integrohet në komunitetin ekzistues të elefantëve në Shambala,” tha Fondacioni EMS.
Afrika e Jugut ka një popullsi elefantësh të egër prej më shumë se 25.000, sipas autoritetit të parqeve të Afrikës së Jugut SANparks.
Elefantët afrikanë përballen me kërcënime nga gjuetarët pa leje, ku mijëra prej tyre vriten në mënyrë të paligjshme çdo vit. Gjithashtu ata përballen me humbje habitati për shkak të zgjerimit të vendbanimeve njerëzore.



