Tetë anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë betuar sot para Presidentit të Republikës.
Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani janë betuar mbi Kushtetutë për respektimin e ligjeve në fuqi.
Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.
Pas betimit në Presidencë, Ambasada Amerikane reagoi përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, thuhet në reagim.



