
Emisioni investigativ” Xhadat” trajtoi rastin e familjes Muça të përbërë prej 4 anëtarësh, Sanie Muça dhe tre fëmijët e saj Marsela 25 vjeç, Tatjana 23 vjeç dhe Martini 20 vjeç.
Katër anëtarët e familjes jetojnë në një shtëpi shumë të amortizuar, muret e së cilës janë plot lagështi dhe tavani i plasaritur gati në të rënë.
Kryefamiljarja shprehet se ajo mundohet shumë që të ushqejë fëmijët e saj dhe ia del disi vetëm duke marrë borxh ose me çfarë i japin komshinjtë si ndihmë.
Në shtëpinë e saj gjetëm vetëm një thes me miell, patate dhe qepë ndërsa frigoriferi në shtëpinë e tyre shërben si dollap.
Me lot në sy, znj. Sanie thotë:
Shtëpia ime është kështu si ju e shikoni, në kushte shumë të vështira.
Familja ime përbëhet prej katër anëtarësh, kam dy vajza dhe një djalë. Ata janë në gjendje të keqe shëndetësore.
Ajo e madhja është më e sëmurë, nuk kam mundësi t’i marr ilaçet. Me çfarë t’i marrë?! I kemi kërkuar ndihmë atyre të komunës Përrenjas dhe askush nuk na ka ardhur ta shohë shtëpinë.
Na thonë do e bëjmë sot e do e bëjmë nesër. Para një viti më vdiq burri që edhe ai ishte i sëmurë.
Kam nevojë për ndihmë, ju e shihni ku jetojmë. Kam borxhe edhe tek njerëzit e mi, por as ata nuk më japin më ngaqë nuk mundem t’i kthej.
Kam shumë nevojë për ushqime, ilaçe për fëmijët dhe shtëpi.
Të njëjtat kërkesa kanë edhe fëmijët e kësaj familjeje, të cilët edhe pse me problem të shëndetit mendor dhe vështirësi në artikulim, arrijnë ta shprehin nevojën e madhe që kanë për shtëpi, ushqime dhe ilaçe për trajtimin e tyre.



