Gjendet i vdekur kryebashkiaku i Seulit, Park Won-soon. Ai është gjetur pas disa orësh kërkime nga policia, të cilën e kishte njoftuar vajza e tij, pasi denoncoi zhdukjen e të atit.
Trupi i pajetë i Won-soon u gjet pas 7 orësh kërkime në Sung-dong, një zonë në veri të Seulit, që u lokalizua falë celularit që ai kishte me vete.
Vajza e tij kishte njoftuar policinë për zhdukjen e tij, për shkak të dyshimeve që i kishte ngjallur një mesazh i të atit, që i ngjante një testamenti. Ai ishte larguar nga shtëpia me një çantë shpine dhe një kapele të zezë në kokë, ndërsa më herët gjatë ditës kishte anuluar një takim.
Park e ka marrë detyrën e kryebashkiakut për herë të parë në vitin 2011 dhe u votua për një mandat të tretë në korrik të 2019-s.
64-vjeçari ka qenë më parë aktivist dhe avokat i të drejtave të njeriut, një zë i fuqishëm kundër pabarazive sociale dhe ekonomike në rritje në Korenë e Jugut.
Park ishte anëtar i Partisë Demokratike të presidentit Moon Jae-in dhe një kandidat i mundshëm për president i Koresë së Jugut në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.



