Është shtyrë për më 11 prill, ora 10:00 seanca për dosjen “Partizani”.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije se në këtë seancë do të merret vendim nëse do të kalojë për gjykim Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
Palët pritet të shkojnë drejt një gjykimi të zakonshëm, dhe jo të shkurtuar.
“Përfundimi i hetimeve nga prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja ka bërë që gjykata të zhvillojë disa seanca në 5 muaj për dosjen ‘Partizani’. Sot do duhej që gjykata të dilte me një vendimmarrje, por është shtyrë sërish seanca me kërkesë të palës mbrojtëse, Sokol Skënderaj, që s’ka qenë i pranishëm, ai përfaqësues i Berishës dhe Malltezit dhe mungesa e tij ka pamundësuar mbajtjen e seancës për shkak se do paraqiste një provë të re. Më 11 prill ora 10:00 do jetë seanca e radhës, ku palët janë këshilluar nga gjykata që s’mund ta shtyjnë më dhe do duhet të merret një vendim. Do kthehet kjo dosje për t’u plotësuar me hetime, do konsiderohen të ligjshme hetimet e prokurorëve Millonai dhe Kraja, apo gjykata do t’i hapë rrugë shqyrtimit në themel”.



