Emisioni investigativ “Xhadat” ka denoncuar rastin e Ambasadorit Genci Muçaj. Në vitin 2016 ai u emërua Drejtor i Marrëdhënieve Dypalëshe dhe Shumëpalëshe në Shërbimin e Marrëdhënive me Jashtë në Kuvendin e Shqipërisë, detyrë të cilën e ushtroi deri në qershor të vitit 2018. Më pas u emërua këshilltar i institucionit të Presidentit të Republikës, teksa drejtohej nga presidenti Meta.
“Unë isha Drejtor i Marrëdhënieve Dypalëshe dhe Shumëpalëshe në Shërbimin e Marrëdhënive me Jashtë në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkova të punoj si këshilltar i Presidentit të Republikës, dhe sipas rregullave i drejtohem zyrës së burimeve njerëzore dhe u thashë që ky është propozimi. Takova atëherë ish- kryetarin e kuvendit Gramoz Ruçi, i cili e mirëkuptoi dhe tha, je i mirëpritur pasi të mbarosh atë lloj shërbimi, të rikthehesh përsëri. Për këtë mora dhe një shkresë ku thuhet se pezullohet statusi i nënpunësit civil, duke qënë se është një punë me status politik, në momentin që mbaron punën, lind e drejta për t`u rikthyer në vendin e punës.”- u shpreh Muçaj.
Po ajo që ndodhi më pas është se ky vendim nuk u zbatua. Pas shumë kërkesave drejtuar Kuvendit për rikthimin e tij në vendin e punës, ky institucion nuk mori asnjë masë për ta kthyer në pozicionin e mëparshëm apo në një post të ngjashëm me të. Për të kërkuar të drejtën Muçaj ju drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Sipas avokatit që po ndjek çështjen, Erald Aga, shkeljet e gjykatës në trajtimin e këtij rasti janë të rënda.
“Shkeljet e gjykatës janë trashanike, pasi gjykata nuk merret me shkakun e pezullimit, me aktin administrativ të pezullimit për të cilin Genci Muçaj kërkon të kthehet në punë, pra nuk merret me nenin 54, po në arsyetimin e vendimit të saj gjykata arsyeton nenin 55”-tha avokati.
Ky nen sipas tij nuk ka lidhje me rastin, pasi pezullimi nuk është kërkuar nga nënpunësi i lartë Genci Muçaj, por nga vetë institucioni i Kuvendit.
Shkelja e dytë sipas avokatit është se institucioni duhet ta kishte ruajtur vendin e tij të punës.
Në kohën që Muçaj kërkonte rikthimin në punë pranë Kuvendit, ky i fundit në përgjigjen e tij deklaron se kthimi i tij në pozicionin e mëparshëm të punës ishte i pamundur për shkak të ristrukturimit.
Ndërkohë që Muçaj kërkonte kthimin në vendin e punës, apo në një pozicion të ngjashëm, siç e parashikon dhe statusi i nënpunësit civil, Kuvendi nuk e bëri këtë ndonëse në faqen zyrtare të tij kishte shpallur vende të lira pune, në pozicione të ngjashme .
Për këtë arsye“Xhadat“ ju drejtua Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për informacion. Përmes saj gazetarët kërkuan informacion se pse, përsa kohë pezullimi i z.Muçaj ishte i përkohshëm, ai nuk u rikthye më në vendin e tij të punës, apo në një vend të ngjashëm me të, duke qenë se gjatë asaj kohe, Kuvendi kishte shpallur vende të lira pune në pozicione të ngjashme.
Ambasador Genci Mucaj është një nga themeluesit dhe Drejtori i parë Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Në vitet 2012-2016 - dekretohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë rezident në Turqi, dhe në Republikën e Azerbaixhanit, Republikën e Gjeorgjisë, Republikën Islamike të Iranit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe Republikën e Kirghizstanit.



