Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë vendosur mbrëmjen e së premtes në Kukës, duke qëndruar në gatishmëri për të ndërhyrë në Kosovë nëse përkeqësohet situata nga përmbytjet.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.
Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, ka shkruar Peleshi.
Disa qytete në Kosovë u përballën orët e fundit me vërshime uji si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Qyteti më i prekur është Skenderaj, ku autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente. Probleme ka pasur gjithashtu dhe në Vushtri, Pejë dhe në disa zona të tjera të vendit.



