
Një grup qytetarësh në Palermo të Italisë kanë formuar një komitet të quajtur “Liberiamo Mondello”, që kërkon lirimin e plazheve të Mondellos, dhe bërjen e tyre të aksesueshme për të gjithë qytetarët.
“Ky është një grup njerëzish që kanë vendosur të ngrihen dhe t’u thonë mjaft perandorëve italo-belgë që kanë pasur monopolin në plazhet e Palermos për më shumë se 100 vjet. Le të jemi të qartë, kjo është vetëm një pikënisje”, thotë Ismaele La Vardera, gazetar dhe anëtar i Parlamentit Siçilian, pjesë e lëvizjes.
Grupi pritet t’i paraqesë një kërkesë zyrtare Bashkisë së Palermos, për të miratuar PUDM-in (planin për përdorimin e pronës publike detare). Ata do të bëjnë gjithashtu një ankesë edhe në gjykatë.
Plazhet e Mondellos janë menaxhuar me koncension kompani italo-belge që prej vitit 1909, që tashmë ka vendosur barriera metalike për kontrollin e aksesit. Kjo ka shkaktuar një pakënaqësi dhe zemëratë qytetare, pasi plazhet konsiderohen si hapësira të përbashkëta publike.



