
Një studim i ri shkencor ndërkombëtar konfirmon lidhjen midis vaksinimit kundër Covid-19 dhe rritjes së mundësisë për një cikël menstrual më të gjatë tek gratë.
Studimi, i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA, zbuloi se gratë e vaksinuara kundër koronavirusit kishin një ndryshim të përkohshëm në kohëzgjatjen e periodave të tyre me rreth 0.7 ditë mesatarisht pas dozës së parë dhe të dytë.
Studimi u parapri nga një studim më i vogël amerikan me 2400 gra me gzbulime të ngjashme, të cilat tani janë konfirmuar.
Studiuesit nga universitetet amerikane dhe britanike (Oregon, Massachusetts, Londër dhe Edinburg), të cilët bënë publikimin në revistën mjekësore britanike “BMJ Medicine”, analizuan të dhënat e 19.622 grave të moshës 18 deri në 45 vjeç, me perioda që zgjasin nga 24 deri në 38 ditë, nga të cilat 14,936 të vaksinuara kundër Covid-19 me Pfizer (67%), Moderna (17%), AstraZeneca (9%) ose J&J (2%).
Krahasuar me të pavaksinuarit, të vaksinuarit kishin një rritje në kohëzgjatjen e ciklit menstrual me më pak se një ditë pas dozës së parë dhe të dytë.
Sqarohet se një ndryshim i periudhës që nuk i kalon tetë ditët konsiderohet brenda kufijve normalë.
Studimi zbuloi se rreth 1400 ose 6.2% e grave të vaksinuara përjetuan një cikël më të gjatë menstrual prej tetë ditësh ose më shumë. Kjo pasojë ndodhte zakonisht tek gratë më të reja që shpesh kishin cikle më të gjata përpara vaksinimit të tyre.



