Hetimet për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, janë shtyrë me tre muaj të tjerë, ndërsa çështja vijon të mbetet në fokusin e debatit politik dhe juridik.
Vendimi për zgjatjen e afatit hetimor është komentuar nga analistë dhe gazetarë, të cilët e lidhin këtë periudhë shtesë me kompleksitetin e dosjes, numrin e madh të personave të përfshirë dhe veprimet e shumta hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme.
Gazetari Xhevahir Zhabina tha për ‘MCN Live’ se zgjatja e afatit ishte e pritshme për shkak të volumit të çështjes, duke theksuar se SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe se vendimmarrja mund të pritet gjatë muajve të vjeshtës.
Gjatë kësaj periudhe janë kryer veprime të shumta hetimore. Duke qenë një dosje me kaq shumë volum, kam përshtypjen se ishte e pritshme që prokurori të kërkonte edhe tre muaj shtesë hetimi. Përtej kësaj, kjo dosje pritet të ketë një vendimmarrje, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për muajt gusht, shtator dhe tetor. Pra, parashikohet që të ketë një zhvillim diku gjatë vjeshtës, një vjeshtë e cila pritet të jetë e nxehtë si nga ana politike, ashtu edhe nga ana e drejtësisë.
Sipas tij, mungesa e informacionit të detajuar mbi veprimet hetimore të SPAK ka shtuar pritshmërinë për një vendim përfundimtar, ndërsa theksoi se dosja përfshin akuza të rënda dhe një numër të konsiderueshëm personash nën hetim.
Është e qartë se akuzat e ngritura ndaj zonjës Balluku dhe vartësve të saj lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe shkeljen e barazisë në tendera. Por, sa i përket veprimeve hetimore që ka kryer Prokuroria e Posaçme gjatë kësaj kohe, ne nuk kemi informacion të plotë. Pavarësisht burimeve që thonë se janë kryer veprime hetimore në zona apo drejtime të ndryshme, është e çuditshme që edhe nga dosja e dërguar në Kuvend, ku SPAK-u kërkoi autorizimin për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku, nuk kanë dalë shumë detaje.
Zhabina shtoi se çështja mund të kërkojë edhe më shumë kohë, për shkak të kompleksitetit të saj, por nuk përjashtoi mundësinë që SPAK të rrisë kapacitetet hetimore për ta përmbyllur më shpejt.
Bëhet fjalë për një dosje shumë voluminoze dhe kam përshtypjen se mund të kërkohet më shumë se tre muaj kohë shtesë. Megjithatë, mbetet për t’u parë, pasi Prokuroria e Posaçme mund të organizojë grupe më të mëdha hetimore për këtë çështje dhe të përshpejtojë punën. Edhe më parë kemi pasur dosje ku afatet hetimore janë shtyrë.
Ndërkohë, gazetari Mariglen Kume u shpreh se zgjatja e hetimeve tregon përmasat e punës së kryer nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa komentoi edhe qëndrimin e Ballukut për të mos dhënë deklarime.
Do të ishte më mirë po ta mbyllnin dhe të kalonin me diçka të lehtë, por hetimet po zgjasin dhe kjo tregon volumin e punës. Ndërkohë, në lidhje me atë që ka thënë zonja Balluku, pra që nuk do të flasë, kjo do t’i pengojë. Është një standard tjetër në pikun e akuzave dhe përballjeve, por është diçka që është konfirmuar në fakt edhe nga prokurorët.
Ai theksoi se prokurorët kanë deklaruar se nuk kanë pasur pengesa në vijimin e hetimeve dhe se zgjatja e afatit lidhet me nevojën për të përfunduar një proces kompleks.
Ata që kanë qenë në Komisionin e Ligjeve, të pyetur nga deputetët e opozitës, kanë thënë se përsëri nuk kanë ardhur në një kërkesë të dytë apo të tjera. Përveçse kanë thënë që do të veprojnë siç e gjykojnë. Nuk kanë pasur pengesa për ta bërë punën e tyre, siç ata e gjykojnë dhe siç e kanë menduar, pra hetimin e plotë të çështjes, me gjithë volumin e punës. Patjetër që kjo mund të krijojë nevojën për zgjatje dhe do të shohim nëse do të ketë përsëritje.
Duke e vendosur çështjen në një kontekst më të gjerë politik, Kume tha se vendimet që mund të dalin nga SPAK pritet të kenë ndikim në klimën politike, pavarësisht se drejtësia duhet të funksionojë e pavarur nga zhvillimet politike.
Duam apo nuk duam, vendimet e Prokurorisë së Posaçme, ose ajo që presim nga SPAK-u, do të prodhojnë edhe efekte politike. Edhe pse në parim dhe në frymë nuk duhet të jetë kështu, sepse drejtësia është drejtësi, në praktikë këto vendime do të kenë ndikim politik.



