Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzon kryeministrin Rama se po saboton procesin e vetingut. “Po saboton që në hapin e parë vetingun. Ai duhet të ndajë mendjen, ose me bandat ose me drejtësinë”, tha Basha.
Basha bëri të ditur vendimin e grupit të PD, sipas të cilit ditën e enjte në parlament do të propozohen amendamente për të rivendosur atë që kanë kërkuar organet e pavarura të vetingut.
“Organet e vettingut kanë bërë një kërkesë për tu mbështetur sipas ligjit me personelin që do ti ndihmojë me procesin e shqyrtimit të integritetit, profesionalizmit dhe ndershmërisë së gjyqatrëve me qëllim që procesi i vettingut të procedojë pa vonesë. Edi Rama ka vendosur ta sabotojë që në hapin e parë procesin e vettingut. Me urdhër të Edi Ramës mazhoranca ka shkurtuar me 40% kërkesat e komisioneve të vettingut. Edhe sot e dëgjuam Ramën të justifikontë këtë si një akt gjoja për të mbrojtur paranë e taksapaguesit. Në fakt është i njëjti Edi Ramë që ka zgjidhur thesin dhe paguan më shumë personel në kryeministri sesa paguan Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjysmën e ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politike. Para për sharës me pagesë ka plot. Ndërsa për procesin e vettingut nuk gjenden para për këshilltarët e organeve të vettingut. Ky është një akt djallëzor i sabotimit të reformës në drejtësi. Po saboton që në hapin e parë vetingun”, tha ai.



