
Ajo që kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi sot zyrtarisht është në të vërtetë vetëm një pjesë e programit me të cilin PD-ja synon të qeverisë vendin pas 25 prillit. Në studion e lajmeve në MCN TV, ish-deputeti Florion Mima tha se përgjatë javëve në vijim do të prezantohen në mënyrë të detajuar, sipas sektorëve të caktuar, 10 platforma, të cilat në total përbëjnë programin elektoral të PD-së.
“Është një nga dhjetë platformat që do të prezantohen. Në javët e ardhshme do të kemi dy platforma çdo javë, ku do të trajtohen sektorë specifikë. Totali i të gjithëve do të përbëjë programin elektoral të PD për 2021-2025” , tha Mima.
Duke u ndalur në objektivin për dyfishimin e të ardhurave për frymë, që prezantoi sot kryedemokrati Basha, Mima tha se është i realizueshëm në vitin 2030.
Ndërsa lidhur me premtimin për 110 mijë vende të reja pune, sipas Mimës, hapësirat do të gjenden në sektorin privat, i cili do të rivitalizohet dhe do të gjenerojë punësim falë jetësimit të nismave që do të rrisin të ardhurat.
“Vendet e reja të punës nuk do të vijnë nga sektori publik. Do të jenë kryesisht në sektorin privat. Të gjitha nsimat që prezantuam sot janë pjesë e këtij plani dhe do të bëjnë që të ardhurat të rriten me 40-50%. Dyfishimi i tyre deri në fund të mandatit do të jetë i realizueshëm. Zbatimi i nismave do të përkthehet në investime të vogla. Është i pangjashëm plani ynë me atë të Ramës. Sot Shqipëria është një nga vendet më të varfra për shkak të keqqeverisjes, varfëria ka arritur në 40 %. Në kohën e PD ishte rreth 12%. Me këtë plan, Shqipëria në fund të katër viteve nuk do të jetë më kjo që është sot”, tha Mima.
Sa i takon strategjisë që PD ka premtuar se do të ndjekë me PPP-të, Mima tha se mekanizmi kryesor mbetet ligji antimafia.
“Kemi prezantuar ligjin antimafia. Secili nga përfituesit, por edhe dhënësit do të përballen me këtë ligj. Testi do të jetë natyra e kontratës. Do të ngrijë çdo gjë, do të hetohen. Ne kemi të dhëna se asnjë PPP nuk e kalon testin. Në koncesionet tona nuk dilte asnjë lek nga arka e shtetit”, tha ai.



