
Një nga problemet më serioze dhe të përsëritura në proceset zgjedhore në Shqipëri mbetet përfshirja e grupeve kriminale në makinerinë elektorale dhe lidhjet e tyre me politikën.
Pikërisht lufta ndaj këtij fenomeni do të jetë testi i vërtetë për Task-Forcën e ngritur për hetimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.
Dhimitër Zguro, përfaqësues i Qëndresës Qytetare, në një intervistë për “MCN Live”, deklaroi se nga monitorimet në terren, fenomeni i shitblerjes së votës është më i përhapur në radhët e Partisë Socialdemokrate, ndërkohë që Partia Socialiste është vënë re të përdorë burimet publike për qëllime elektorale.
Krimi zgjedhor është një fenomen i përhapur sidomos në qarqet problematike. Aktualisht, agjentë të SPAK dhe të BKH kanë nisur veprime me qëllim parandalimin e këtij fenomeni, por nga këndvështrimi im, ndërhyrja është e vonuar. Ky fenomen ka qenë prezent shumë më herët, para se të fillonin aksionet e fundit.
Përsa i përket qytetit të Shkodrës, ekzistojnë indicie për raste të shitblerjes së votës nga eksponentë të PSD-së, bazuar edhe në raportimet mediatike.
PSD rezulton të jetë një nga forcat politike më të përfshira aktivisht në këtë fenomen.
Në rastin e PS-së, nga monitorimet tona është evidentuar kryesisht shpërdorimi i burimeve publike për fushatë, duke i kthyer institucionet shtetërore në mjete propagandistike për fushatën e tyre.
Sipas Zguro-s, hetimet ndaj personave të dyshuar për krime zgjedhore duhet të ishin më të shpejta dhe më efikase, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Kanë mbetur shumë pak ditë deri në zgjedhje. Mendoj se ndërhyrjet duhej të ishin bërë më herët.
Shumë nga dëmet tashmë janë bërë dhe hetimet sapo kanë filluar, në një kohë kur duhet të ishin të avancuara për të përcaktuar fajësinë apo pafajësinë e personave të përfshirë.
Nevojiten hetime më të shpejta dhe vendimtare për të parandaluar cenimin e procesit zgjedhor.



