
Aktivisti Kolindo Vjerdha nga "Qëndresa Qytetare" ka denoncuar përdorimin e institucioneve arsimore për qëllime partiake gjatë fushatës zgjedhore. Në një intervistë për "MCN Informacion", ai ka zbuluar raste ku shkollat janë shfrytëzuar për promovimin e kandidatëve të Partisë Socialiste, duke përfshirë edhe postime elektorale në faqet zyrtare të shkollave.
Vjerdha ka bërë me dije se janë denoncuar 36 institucione arsimore në KQZ për shpërdorim të aseteve shtetërore, duke përfshirë faqe interneti dhe rrjete sociale të shkollave, që promovojnë aktivitetet e ministres Ogerta Manastirliu. Sipas tij, drejtuesit e këtyre institucioneve pranojnë se ndihen nën presion politik për të ndihmuar fushatën, duke treguar se ky fenomen është një përpjekje e organizuar për të ndikuar në procesin zgjedhor përmes arsimit.
“Ajo çka kemi parë edhe si qëndresë në monitorimin që kemi kryer tashmë në procesin zgjedhor, kemi vënë re që institucionet e arsimit po shfrytëzohen për përdorime partiake.
Mund të sjell disa raste, për shembull, është një rast në një shkollë në Librazhd, ku po prezantohet kandidati i Partisë Socialiste. Po kemi raste të tjera të cilat janë të shkollave nëntëvjeçare, për shembull, të cilat shpërndajnë postime elektorale të ministres Manastirliu.
Tani praktikisht, këtë faqen e Facebook-ut të një shkolle, pra e një institucioni arsimor që menaxhohet nga një person i shkollës publikojnë postime të ministres Manastirliu.
Ne kemi denoncuar 36 institucione arsimore në KQZ, lidhur pikërisht me përdorimin e aseteve të tyre shtetërore, qoftë faqeve të tyre të internetit po flasim, faqeve zyrtare që kanë institucionet arsimore, qoftë nëntëvjeçare, gjimnaze apo institucione zyrtare të arsimit parauniversitar. Pikërisht duke shpërndarë poste, duke bërë lajme, duke bërë komente partiake në postimet e Ministres Manastirliu dhe për hir të së vërtetës, për ironi të fatit, larg kamerave, drejtorë të këtyre institucioneve na janë shprehur që na bëtë mirë që na sollët deri këtu, duke na denoncuar se të paktën kemi një argument që t'i themi atyre mos na bëjnë më presion.
Realiteti është që në një mënyrë apo një tjetër ka presione të cilat vijnë në segmentet caktuara, qoftë të ministrisë, qoftë të partisë socialiste nga ana tjetër, pikërisht për të krijuar një kapital sa më të madh njerëzor, i cili vjen në dobi të fushatës elektorale.”, tha Vjerdha.



