Ish zëvendës ministri i Financave, Elton Haxhi thotë se situata energjetike në vend nuk ka lidhje me inflacionin, por se situata është komplekse.
Sipas tij, një pjesë është e lidhur me krizën aktuale me luftën në Ukrainë dhe një tendencë për disa faktorë të tjerë që ka një presion inflacionist në rritjen e përgjithshme të çmimeve, si rrjedhojë edhe e krizës energjetike por jo vetëm.
Po kalojmë krizë pas krize që mbivendosen me njëra tjetrën dhe kanë çuar në situatën ku jemi. Nuk do isha dakord që qeveria të ndërhynte në taksën e TVSH-së, pasi çdo diferencimi në TVSH apo përjashtim, do të sillte një efekt më tepër negativ se pozitiv dhe të gjitha studimet për uljen e nivelit të TVSH, kanë treguar se vetëm në 15% të rasteve, ulja e TVSH është reflektuar në ulje çmimi për konsumatorët dhe në 85% të rasteve nuk është reflektuar. Është një masë joefektive. Mund të konsiderohen taksa të tjera, sidomos një taksë që ka efekt mat. Taksa e qarkullimit tek karburantet. Mund të ketë efekt se duke qenë se ne kemi një bord që kontrollon në mënyrë frekuente vendosjen e çmimit të karburantit, një reduktim i kësaj takse do reflektohej në formulën që përcakton bordi për përcaktimin e çmimit maksimal të karburantit. Duke qenë se qeveria i ka mekanizmat për reflektimin, në çmim, kjo është një masë efektive.
Sipas tij, kemi problem me borxhin publik, me defiçitin dhe se një reduktim i kësaj takse, duhet reflektuar me reduktimin e shpenzimeve.
Haxhi kërkoi që të bëhet balancim dhe reflektim me kujdes, nëse do ketë reduktim në taksa.
Në vijim tha se duhet të ecim me synimin e një mbështetje më të madhe sociale, duke reduktuar shpenzimet buxhetore, qoftë me shpenzimet e planifikuara për këtë vit apo shpenzimet operative.
Paketën anti-krizë të qeverisë, ai e cilësoi si të duhur për të mbështetur grupet në nevojë, mirëpo e konsideroi të papërfillshme po të krahasohet me rritjen e çmimeve dhe shtesat që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë për përballimin e kostove.
Qeveria nuk është e aftë të përballojë të gjithë koston e subvencionimit të energjisë për qytetarët, tani kemi kaluar në skenarin që një pjesë e qytetarëve, ata që konsumojnë më shumë që do të thotë kanë dhe të ardhura më shumë, nuk do të mbrohen njëlloj me ata që konsumojnë më pak. Do kalojmë në skemën e vjetër me dy fasha konsumi dhe çmim të diferencuar për fashën e sipërme. Kthehemi te modeli i vjetër i cili me argumente bindëse u kundërshtua në fillim, duket se është thjesht çështje financiare se qeveria nuk është e aftë të përballojë koston, por do e shpërndajë tek qytetarët. Një pjesë të këtyre kostove qeveria duhet t’i marrë përsipër dhe të mos e cilësoj si nder që po iu bëhet qytetarëve.



